Organizata gjermane, Friedrich-Ebert- Stiftung (FES) në partneritet me Institutin Evropian për Paqe (EIP) ka publikuar një draft-statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Me ç’rast u tha se drafti është hartuar në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Sipas draftit, asociacioni do të ketë simbolet e veta të dizajnuara nga bordi i Asociacionit në përputhje me ligjet dhe me Kushtetutën e Kosovës.
Drafti përmban shtatë kapituj dhe aktualisht është i disponueshëm vetëm në gjuhën angleze.
“Pikënisje për diskutime, asgjë më pak apo më shume, ky është vetem starti. Duhet të bëjmë përpjekje, gjatë këtij procesi te normalizimit të mardhëdhënieve ka pasur shumë raste që është dashur të bëhen drafte të shpejta. Objektivi ynë ka synim lehtësimin e diskutimeve duke u bazuar në propozimin konkret. Nuk ka pasur shumë progres, deri sot askush nuk ka prezantuar një propozim konkret”, ka thënë Rene Schlee nga Friedrich-Ebert-Stiftung.
Egzon Osmanaj nga FES ka thënë se hartimi i draftit ka filluar më intensivisht në pjesën e dytë te vitit 2022 dhe se është punë ekskluzive e punës se organizatës FES në partneritet me EIP.
“Qëllimi është të kontribuojnë për të ndihmuar procesin e normalizimit ndëmrjet dy vendeve. Pjesa më e madhe e procesit është bërë jashtë syve të publikut me qëllim që kontribuuesit me u ndje të lirë dhe pa presion që të ofrojnë idetë e tyre, në mënyrë të pandikuar”, ka thënë ai.
“Siç e dini ideja e formimit vjen nga marrëveshje e vitit bitit 2013, pastaj e specifikuar në vitin 2015. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e kishte konstatuar që asociacioni duhet të themelohet por në përputhje me frymën e kushtetuese. Këto tri elemente kanë qenë bazamenti i punës sonë. Drafti është bazuar në terminologjinë ekzistuese të kuadrit ligjor dhe Kushtetutës së Kosovës. Ka për qëllim të adresojë një problematikë që na ka përcjellë për vite dhe nuk duhet të shihet me ndonjë tendencë apo prapavijë tjetër”, ka shtuar ai.
Në këtë diskutim ka marrë pjesë edhe Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje.
“U tha që nuk është një etnike, por nuk u dëgjua për ndonjë komunitet tjetër përveç komunitetit serb, nëse nuk është një-etnike, pse nuk u tha askund që kemi goranë, turq…”, ka thënë Kurteshi.
“Cila është baza e këtij teksti në këto dokumente. Dokumentet që kanë karakter ndërkombëtarë duhet të kenë një bazë në dokumentet ndërkombëtare”, ka shtuar ai.
Publikimi i këtij drafti po bëhet një ditë para diskutimit për Asociacionin në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, ku kjo e fundit ka ftuar përfaqësues të shoqërisë civile, qeverisë e përfaqësuesve politikë që të diskutojnë për ketë temë.