​DNV i bën thirrje presidentes që të emërojë dy anëtarët e KQZ-së

Përfshirja e grave në lista zgjedhore dhe koalicione programore e jo të bazuara në pazare, janë dy kërkesat kryesore e rrjetit të organizatave vendore për vazhdimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim (DnV). Të njëjtit kanë publikuar një vlerësim ex-ante të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, ku iu bënë thirrje partive politike që të publikojnë shpenzimet e tyre buxhetore, e cila konsiderohet si vlerë e shtuar e procesit. Po ashtu, thirrje i është bërë edhe presidentes Vjosa Osmani për emërimin e dy anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim ka thënë se me këtë publikim po synojnë që të shpalosim rekomandime që do të shërbenin për përmirësimin e procesit zgjedhor, duke listuar disa nga problemet më të madhe gjatë organizimit të zgjedhjeve.

“Vetëm si rezultat i përfundimit të mandateve të kryetarëve, ne kemi organizuar mbi 13 palë zgjedhje të jashtëzakonshme që nga viti 2007 e tutje. Problem tjetër mjaft i rëndësishëm është çështja e balotazheve, ndonëse në nivelin parimor nuk janë në vetvete problematikë, ajo çfarë ne kemi evidentuar është se shpeshherë balotazhet kanë qenë pika ku janë bërë bashkë kandidatët të cilët janë kundër kandidatët që kanë qenë me numrin më të madh të votave në raundin e parë, shpesh herë mbi baza jo programore dhe jo parimore, duke ngritur çështjen e deformimit të vullnetit real qytetar. Ne si DNV vlerësojmë që në radhë të parë, subjektet politike do të duhej të arrinin marrëveshje parazgjedhore për të paktën pozitën e të parit të komunës dhe që këto koalicione të jenë programore dhe jo të bazuara në pazaret që bëhen pas raundit të parë”, ka thënë ai.

Cakolli ka shtuar se fillimi i parakohshëm i fushatës u ka mundësuar subjekteve politike që të shtrembërojnë deklarimet për çështjen e të hyrave dhe shpenzimeve gjatë fushatës. Për këtë, DNV ka kërkuar që kryetarët e komunave apo kuvendeve komunale t’i paraqesin të hyrat e tyre, si vlerë e shtuar e procesit.

“Korrupsioni zgjedhor që zakonisht shpërfaqet përmes përdorimit të resurseve publike për qëllime të fushatës është një prej fenomeneve më negative të zgjedhjeve lokale të organizuara në Kosovë. Ky fenomen është më tipik për komunat, në të cilat qeverisin partitë politike të cilat kanë qeverisjen në nivel qendror, ndërkohë që nuk përjashtohen rastet edhe kryetarët aktual të komunave të shfrytëzojnë resurset publike për qëllime të fushatës”, ka shtuar Cakolli.


Ndërkohë, ai ka bërë thirrje edhe për emërimin e dy anëtarëve të KQZ-së.

“Ne si DNV rekomandojmë emërimin e anëtarëve të KQZ-së, përkatësisht dy anëtareve që nuk janë emëruar. Ne bëjmë thirrje që presidentja Osmani pa vonesa të mëtutjeshme të emërojë dy anëtarët e mbetur, që në bazë të dispozitave të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme i takojnë njëri PDK-së, ndërsa kandidatin në radhët e komunitetit boshnjak nga koalicioni VAKAT. Vonesa prej më shumë se 120 ditësh deri më tani është në shkelje të dispozitave të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme që përcakton se përbërja e KQZ-së duhet të kompletohet 60 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore”, ka deklaruar Cakolli.

Rezarta Delibashzade-Krasniqi ka përmendur mungesën e përfshirjes së grave në kandidaturën për kryetar komunash, e po ashtu edhe në nivel qendror.

“Janë vetëm 20 për qind gra të cilat marrin pjesë si folëse në fushata dhe pjesëmarrëse në këto tubime dhe organizime janë vetëm 10 për qind. Kjo tregon se sa kanë qenë të fokusuara pjesëmarrja e grave në këto aktivitete të cilat janë marrë vetëm me aspekte specifike, ka qenë shëndetësia dhe arsimi. Integrimi i grave është në mungesë edhe brenda platformave politike të subjekteve të cilat e shohin edhe si mungesë për avancimin e tyre”, ka theksuar ajo.

Veç tjerash, ajo ka theksuar se buxheti i partive politike nuk është i ndarë në baza gjinore. Kjo sipas saj, është pengesë për të realizuar fushatë si burrat.

Për këtë, Mexhide Demolli nga DNV u ka bërë thirrje mediave për mbulim të barabartë gjatë fushatës zgjedhore të grave dhe të partive politike. Ajo tha se vetëm 5,6 për qind e transmetimeve janë kur flasin gratë. DNV i ka rekomanduar Komisionit të Pavarur të Mediave të bëjë monitorimin sistematik të mediave gjatë fushatës zgjedhore lidhur me respektimin e rregulloreve në fuqi.

Lexo edhe

Video

error: