​Disa mostra të të helmuarve në Deçan do të dërgohen jashtë vendit

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka diskutuar për situatën e krijuar në Komunën e Deçanit, ku dyshohet se një numër i madh i qytetarëve janë helmuar nga uji i pijes, ku u tha se të gjitha institucionet kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’i dalë në ndihmë kësaj komune.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se sot janë marrë disa mostra të cilat do të dërgohen jashtë vendit për analiza më specifike.

Kjo mbledhje e qeverisë mbahet në ditën e katërt prej kur janë shfaqur rastet e para të helmimit të qytetarëve në Komunën e Deçanit, ndërsa në këtë mbledhje ka munguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po vazhdon vizitën e tij në Greqi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se si qeveri kanë siguruar të gjitha resurset e nevojshme për Komunën e Deçanit dhe Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë.

Ai tha se janë ndërmarrë një sërë veprimesh duke iu përgjigjur nevojave të qytetarëve të prekur nga infeksioni dhe për përmirësim të gjendjes.

“Qeveria dhe institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë një sërë veprimesh duke iu përgjigjur nevojave të qytetarëve të prekur nga infeksioni dhe për përmirësim të gjendjes. Agjencia e menaxhimit të emergjencave i është ofruar me shërbime të furnizimit me ujë të pijshëm komunës së Deçanit dhe çdo gjë tjetër të nevojshme në fushën që mbulon agjencioni dhe vazhdon të jetë në dispozicion në rast se kjo kërkohet nga Komuna e Deçanit. Me datën 11 korrik 2021, të dielën Ministria e Shëndetësisë ka pranuar raportin nga IKSHPK për një numër të banorëve nga disa fshatra të Komunës së Deçanit të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF në Deçan me ankesa shëndetësore që pas trajtimit janë udhëzuar për trajtim shtëpiak. Të gjitha hapat e nevojshëm në hulumtimin e burimit të helmimit janë ndërmarrë menjëherë të dielën në mëngjes. Gjatë fundjavës janë mobilizuar të gjitha ekipet të cilët po vazhdojnë punën në mënyrë aktive në ditën e katërt sot bashkë me ekipet e Pejës, Prishtinës, Gjakovës dhe Prizrenit. Ndërkohë IKSHPK vazhdon hulumtimin në terren dhe grumbullimin e anketave epidemiologjike nga qytetarët dhe familjet e prekura dhe raporton në vazhdimësi për rrjedhën e hulumtimit”, tha ai.

Bislimi tha se nga barnatorja qendrore e SHSKUK-së janë siguruar sasi shtesë e barnave, kontingjenti i parë i të cilave ka arritur mbrëmjen e së martës dhe materiale të tjera të nevojshme për tejkalimin e situatës.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha sot janë përgatitur një numër i mostrave të cilat pritet të dërgohen jashtë vendit për analiza më specifike pasi që të njëjtat nuk mund të kryhen në Kosovë.

Ai tha se si ministri komunës së Deçanit i kanë dalë në ndihmë edhe me furnizim me barna dhe material tjetër sipas nevojës.

“Menjëherë me t’u bërë lista nga materialet e domosdoshme për nevojat e pacientëve të cilët kanë qenë të prekur ne Komunën e Deçanit, Ministria e Shëndetësisë menjëherë ka reaguar. Një pjesë e mirë e konsiderueshme e barnave dhe materialit shpenzues është dërguar dje, kurse vazhdimisht do të vazhdojmë me dërgimin e materialeve dhe barnave të tjera sipas nevojës. Vlen për t’u përmendur se janë bërë edhe disa analiza shtesë si kopokultura nga disa pacientë, të cilat prapë kanë dalë negative me disa nga virozat më të zakonshme që shkaktojnë këto probleme. Në anën tjetër sot janë përgatitur edhe një numër i mostrave të cilat shumë shpejt priten të dërgohen jashtë vendit për analiza më specifike, të cilat nuk mund të bëhen në Kosovë”, tha ai.


Ai tha se sot situata është më e qetë, ka fluks më të vogël të pacientëve dhe MSH është në dispozicion për t’iu qëndruar pranë në këto kohë të vështira.

Në këtë mbledhje të Qeverisë u tha se shumë shpejt do të ndahen edhe mjete financiare për Komunën e Deçanit, ku ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati tha se do të procedojnë me kërkesat.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me ministrat e linjës, deri më tani kemi pasur një kërkesë dhe shumë shpejt do ta procedojmë”, tha ai.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se do të ndajnë 150 mijë euro për Komunën e Deçanit për të financuar modernizimin dhe sanimin e rrjetit të ujësjellësit në fshatrat e prekura.

“Do t’i ndajmë mjete financiare në vlerë prej 150 mijë euro për mbështetje të Komunës së Deçanit për financimin e projekteve për trajtimin dhe rregullimin e sistemit të ujësjellësit në mënyrë që të bëhen modernizimet dhe sanimet e nevojshme për këto fshatra”, tha ai.

Ministri i Punëve të Brendhshme, Xhelal Sveçla, tha se në përgjithësi gjendja e sigurisë në Komunën e Decanit është e qetë dhe nuk ka probleme që ndërlidhen me rendin dhe sigurinë publike.

“Qysh në momentin e parë Policia në Deçan është koordinuar me Prokurorinë Themelore në Pejë dhe ka iniciuar rast për dyshimin për vepër penale ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’. Po ashtu, kanë filluar hetimet për rastet hetim i vdekjes për dy persona të kësaj komune. Në të njëjtën kohë në vazhdimësi ne jemi mobilizuar, prandaj Drejtoria e Krimeve të Rënda nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës ka shkuar në Komunën e Deçanit për të asistuar Policinë atje në hetim të gjithanshëm të rastit për të zbuluar shkaktarët e saj”, tha ai.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se nga takimet e para që kanë pasur me KRU “Hidrodrini” dhe nga informatat e IKSHPK-së është konstatuar se uji nuk ka qenë shkaktari i situatës së krijuar.

“Nga informatat që i kemi marrë nga KRU ‘Hidrodrini’ dhe IKSHPK në mënyrë të vazhdueshme deri më tani nuk ka arsye për të besuar se uji i ujësjellësit ishte shkaktari i situatës së krijuar, duke qenë se është raportuar një numër i konsiderueshëm i pacientëve me simptoma të njëjta, por që nuk kanë fare qasje në ujin e pijes të furnizuar nga KRU ‘Hidrodrini’”, tha ajo.

Ajo tha se raste janë shfaqur edhe pasi KRU “Hidrodrini” kishte ndërprerë furnizimin e banorëve me ujë.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, bëri të ditur të gjitha veprimet që kanë ndërmarrë për t’i dalë në ndihmë Komunës së Deçanit, derisa tha se janë në gatishmëri për të ndihmuar në çdo kërkesë që do të kenë nga kjo komunë.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.