​Dimër i vështirë për energjinë, pakënaqësi me përgatitjen e qeverisë

Situata globale, ndikuar kryesisht pas agresionit të paprovokuar rus në Ukrainë, ka bërë që dimri që po vjen të parashikohet i vështirë në furnizimin me energjinë elektrike. Njohësit, që kritikojnë qeverinë për mungesë të përgatitjeve, paralajmërojnë se importi i energjisë për shkak të çmimit mund të jetë i papërballueshëm dhe nuk mund të plotësohen kërkesat. KEDS thotë se çmimet janë pesëfishuar dhe nuk mohojnë se do të kërkojnë sërish shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave, ndërsa nga KEK-u deklarohen se kanë intensifikuar bashkëpunimin me Shqipërinë për shkëmbim të energjisë.

Dardan Abazi nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) tha se me çrregullimin e tregjeve ndërkombëtare edhe furnizimi i Evropës me energji është në pikëpyetje të madhe sa i takon muajve të dimrit që mund të nxisë një rritje më të madhe të çmimeve të importit.

Abazi për KosovaPress ka treguar disa masa të cilat do të mund të zbusin efektin e krizës, duke filluar nga një fushatë vetëdijesimi për kursim të energjisë e deri te fuqizimi i kapaciteteve të prodhimit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Ai uron që edhe marrëveshja për energjinë në veri të fillojë së zbatuari shpejtë në mënyrë që pagesa për energjinë e shfrytëzuar atje të mos bëhet barrë gjatë muajve kritikë të dimrit, ndërsa shton se duhet të ketë inspektime më të shpeshta për të parandaluar edhe keqpërdorimin e energjisë elektrike.

“Ne si vend i cili varemi për disa javë apo muaj prej importit të energjisë elektrike, jemi të rrezikuar në muajt e ardhshëm të dimrit, në atë formë që ndoshta nuk do të mund të përballojmë importin e energjisë elektrike dhe nuk do të mund të përmbushim kërkesën tonë të brendshme për energji… Është jetike që në këtë kohë Qeveria e Kosovës të punojë për masat e efiçiencës së energjisë. Pastaj nevojitet që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë ndonjë fushatë vetëdijesimi për qytetarët në mënyrë që të reduktohet kërkesa për energji gjatë muajve kritik të dimrit. Gjithashtu duhet përshpejtuar procesi i investimeve në burimet e ripërtërishme të energjisë në mënyrë që gjatë muajve të dimrit të mos varemi krejtësisht nga një burim i energjisë por të kemi diversifikim të prodhimit. Duhet fuqizuar kapacitetet menaxhuese të KEK-ut, nuk guxojmë të tolerojmë avari të tjera në prodhimin në KEK të cilat e vështirësuan apo trefishuan krizën vitin e kaluar… Të shpresojmë që me hapa të përshpejtuar do të zbatohet edhe marrëveshja për veriun e Kosovës, në mënyrë që atë pjesë të energjisë të mos ta kemi barrë për ta paguar gjatë këtyre muajve”, tha ai.

Abazi është i pakënaqur edhe me përgatitjet e qeverisë në lidhje me furnizimin me energji gjatë muajve të ftohtë të këtij viti.

“Nuk jemi të kënaqur me përgatitjet të cilat janë duke u bërë (nga qeveria), nevojiten hapa shumë më të shpejtë, sidomos në komponentin e efiçiences së energjisë, një program i cili ka mundur të zhvillohet që në fillim të vitit, tash do duhet të ishte vetëm duke u zbatuar që qytetaret të pajisen qoftë me kaldaja më të avancuara të cilat harxhojnë më pak karburant, qoftë të ndryshojnë komplet sistemet e energjisë, të këtë investime në izolime të shtëpive përmes programeve në bashkëpunim me fondin e efiçiencës së energjisë, me bankat komerciale. Të gjitha këto kanë mundur të bëhen shumë më herët dhe po shohim që hapat janë shumë të vegjël”, tha ai.

Kriza energjetike gjatë dimrit të kaluar u thellua edhe më shumë kur nga prodhimi ranë blloqet e KEK-ut. Por, nga kjo Korporatë thonë se janë duke i marrë të gjitha masat e nevojshme, në mënyrë që gjatë këtij dimri prodhimi i energjisë të bëhet me kapacitete të plota.

Zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli, përmes një përgjigje me shkrim për KosovaPress, tha se kanë intensifikuar bashkëpunimin me prodhuesin publik të energjisë së Shqipërisë, Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), duke deponuar atje tepricat e energjisë elektrike gjatë muajve të ngrohtë.


Sipas tij, deri më tani KEK ka deponuar rreth 85.000 MWh energji elektrike tek KESH-i, deponim ky që pritet t’i kthehet Kosovës gjatë sezonit dimëror.

“Korporata Energjetike e Kosovës, sipas licencës ka përgjegjësin për prodhimin e energjisë elektrike dhe eksploatimin e thëngjillit dhe në këtë drejtim janë duke u marrë të gjitha masat e nevojshme për ngritjen e sigurisë në njësitë prodhuese. Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe Korporata Energjetike e Shqipërisë (KESH) bazuar në praktikat e mëhershme dhe marrëveshjeve reciproke kanë shkëmbyer energji elektrike me koeficientin 1:1. Vlen të theksohet se bazuar në marrëveshjet mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, KEK dhe KESH kanë filluar intensifikimin e bashkëpunimit të ndërsjellë. Në këtë bazë duke ju referuar planit javor dhe ditor, KEK-u të gjitha tepricat e energjisë elektrike është duke i ofruar KESH-it dhe deri më sot KEK ka deponuar rreth 85.000 MWh energji elektrike tek KESH-i, kjo praktikë me interes të ndërsjellë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Tutje, ky deponim pritet t’i kthehet Kosovës në kohën kur do të ketë nevojë për energji elektrike, pra në sezonin dimëror”, tha Bucolli.

Ndërsa edhe në Kompaninë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) thonë se janë duke bërë përgatitjet por paralajmërojnë se dimri do të jetë i vështirë, bazuar edhe në çmimin e energjisë ne bursat ndërkombëtare.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala tha për KosovaPress se aktualisht çmimet janë pesëfish më të shtrenjta. Ai shtoi se janë në kontakte të vazhdueshme me të gjithë akterët në vend.

“Ne kemi kontakte të vazhdueshme me Qeverinë e Kosovës, përkatësisht institucionet e tjera… Kryesisht çmimet referente i kemi në berëzën e Hungarisë, përkatësisht të Budapestit, ku aq sa janë çmimet, aq edhe ne detyrohemi të blejmë pasi që është e pamundshme të merret energji me e lirë. Aktualisht çmimet aty janë tregues që do të jenë të larta, pa dashur te prognozojmë, mirëpo nisur në ecuritë e vitit kaluar, këtë vit çmimet janë edhe me të larta. Vitin e kaluar dihet kanë qenë çmimet në kulm, sivjet çmimet janë afër 400 euro për megavat, që krahasuar me vitin e kaluar kanë qenë 70,80 deri 100 euro është të paktën pesë herë më tepër, pra po flasim për çmime të pesëfishuara sivjet. Në krahasim me vitin e kaluar kur veç çmimet kanë qenë jashtëzakonisht të larta, sigurisht që bazuar në këta indikator, na pret një dimër mjaftë i vështire. Ne nuk kemi qëndruar duarkryq, jemi duke bërë revizionimin e rrjetit dhe mirëmbajtjen e tij… Jemi duke vazhduar edhe me përgatitje tjera, në mënyrë që të kemi një dimër sa më të lehtë energjetik, mirëpo kjo sigurisht që varet edhe nga faktorët tjerë”, tha Buzhala.

Ai tha se që të tejkalohet sa me lehtë stina e dimrit duhet mobilizim nga të gjithë, përfshirë institucionet dhe qytetarët.

Buzhala shtoi për KosovaPress se mund të jenë të detyruar që të kërkojnë sërish shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave, njëjtë siç ndodhi muaj më parë.

“Kostot janë të parapara, mirëpo nuk e dimë cilat do të jenë. Ato janë të parapara aktualisht për secilën periudhë të vitit, mirëpo nuk e dimë cilat do të jenë gjatë dimrit, sepse ne punojmë me tarifa të aprovuara një vit me herët. Ndërsa kostot që bëhen këtë vit duhet të mbulohen nga tarifat që hynë në fuqi gjatë vitit të ardhshëm apo eventualisht mund të detyrohemi të bëjmë ndonjë kërkesë për shqyrtim të jashtëzakonshëm… Sigurisht se edhe çmimi do të reflektohet me i ulët, mirëpo nëse vazhdojmë me këta parametra, me kërkesë të lartë, me çmime edhe me të larta se viti i kaluar, atëherë gjendja do të jetë mjaftë problematike”, tha ai.

KosovaPress ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Ekonomisë për të kuptuar rreth përgatitjeve që po bëhen për të garantuar furnizim me energji gjatë dimrit, por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli./E.Krasniqi/

Lexo edhe

Video

Komentet janë të mbyllura.