​Dhjetëra studentë të “KEDS Academy” nisin praktikën në KEDS

Të rinjtë e vendit tash e nëntë vjet po trajnohen në Kompaninë për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë. Ata nga afër po mësojnë se si funksionon hallka e zinxhirit elektro-energjetik. Studentët e vitit të fundit të studimeve dhe nxënës të shkollave të mesme teknike e profesionale për vitin e nëntë, janë bërë pjesë e programit “KEDS Academy”. Kjo po shërben si dritare për ngritje në karrierë për të gjithë studentët pjesëmarrës, të cilët ndjekin ligjëratat dhe bëjnë punë praktike në departamente të ndryshme të kompanisë.

Hajdin Zhdrella, i cili është menaxher i rrjetit në departamentin e sistemit të operimit, thotë se që nga koha kur kanë themeluar këtë program, një pjesë e madhe e të rinjve edhe po punësohen në KEDS.

“Në kuadër të Departamentit të Sistemit të Operimeve, janë të përfshirë njësia e rrjetit, e mirëmbajtjes, njësia e planifikimit në kuadër të Sistemit të Operimeve. Studentët kanë mundësi përgjithësi që të marrin njohuri rreth punës dhe planifikimit të punimeve, si dhe ekzekutimit komplet të punës në ecurinë e Sistemit të Operimeve. Ky departament është një nga departamentet kyçe të kompanisë, pasi që momentin kur konsumatorët mbesin pa energji ose mbarëvajtja e sistemit elektro-energjetik, furnizimi i konsumatorëve me energji elektrike është departamenti kyç”, tregon ai.

Të rinjtë bëhen pjesë pothuajse e çdo departamenti të kompanisë. Ata mund të shohin se si ekzekutohet një projekt i tensionit të ulët apo të mesëm.

“Studentët kanë mundësi që të shohin punën prej zyrës ne si staf që jemi e deri tek stafin që e kemi në terren. Punën, monitorimin e prishjeve, punët e planifikuara siç janë mirëmbajtja, planifikimi që bëhet deri tek një rregullim i një pune apo prishje të caktuara. Studentët kanë mundësi që pjesën teorike që e kanë mësuar në fakultet ta ndërlidhin me pjesën praktike që kemi brenda kompanisë. Kombinimi i këtyre dyjave i kompleton si inxhinier dhe si profesionist të lëmisë”, shton Zhdrella për KosovaPress.

Çlirim Vishi, i cili është student i vitit të tretë në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, po ndjek praktikën me rotacion te “KEDS Academy”, dhe i takon gjeneratës së nëntë të këtij programi.


“Jemi njoftuar nga afër me punën që e bëjnë inxhinierët dhe teknikët e këtij departamenti. Ka qenë një përvojë shumë e mirë… Për momentin jam në Departamentin e Mirëmbajtjes, ku lidh shumë afër konsumatorin me KEDS-in. Ku KEDS duhet të ofrojë të gjitha kushtet që të jetë i pajisur konsumatori me energji elektrike. Tani po e shoh se çfarë serioziteti në punë kanë pjesëtarët e KEDS-it, të cilët mundohen në çdo mënyrë që konsumatorin mos ta lëjnë pa energji elektrike”, shprehet Vishi.

Në kuadër të Departamentit të Investimeve janë katër sektorë. Në distribucionin e vetëm që ka Kosova, studentët kanë mundësi që të kompletohen si inxhinier i së ardhmes.

“Në kuadër të sektorit të planifikimit, studentët kanë mundësi që të mësojnë se si të planifikojnë një rrjet të tensionit të mesëm. Pas kësaj kalojnë në sektorin e projektimit. Pasi të përfundojë projektimi, ka mundësi që të bëhet projekti detal nga pika zero deri në konsumatorin e fundit. Përveç kësaj, kjo është pjesa e dytë që kanë mundësi studentët që të mësojnë, realizohet investimi. Kanë mundësi të shohin dhe të mësojnë se si bëhet realizimi i këtyre projekteve. Me një fjalë, një student në Departamentin e Investimeve ka mundësi të kompletohet si inxhinier për të ardhmen”, tregon menaxheri për planifikim në Departamentin e Investimeve, Adem Hajdini.

Studentja e vitit të fundit në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Alma Dobratiqi tregon se kjo përvojë po i ndihmon që shumë shpejt të bëhet pjesë e tregut të punës.

“Aktualisht jam duke mbajtur praktikën në Departamentin e Investimeve, përkatësisht në sektorin e planifikimeve. Ku jemi duke parë punën nga afër se si po bëhet, duke parë planifikimet, projektet investive dhe duke parë gjendjen ekzistuese. Kjo është një mundësi shumë e mirë për shkak se neve po na ndihmon që të përgatitemi për fazën e intership-it që do të fillojmë në shtator dhe jemi duke marrë njohuri shumë të rëndësishme. Gjë që në fakultet i kemi mësuar në aspektin teorik dhe këtu po na mundësohet që të mësojmë edhe në praktikë”, shprehet Dobratiqi.

“KEDS Academy”, i cili është themeluar në vitin 2013, tashmë ka marrë disa çmime ndërkombëtare në qendra të rëndësishme botërore. Për nëntë vjet kanë diplomuar rreth 500 studentë dhe nxënës nga Kosova, ku një pjesë e madhe punojnë ne KEDS, por edhe të tjerë të cilët janë të punësuar në kompani brenda dhe jashtë Kosovës.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.