​Deputetët nga Shqipëria vizitojnë Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Brendshme

​Deputetët nga Shqipëria vizitojnë Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Brendshme

Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së sot kanë qëndruar për vizitë, deputetët, anëtarë të Komisionit për Siguri Kombëtare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, kryesuar nga Nasip Naço.

Siç bëhet e ditur nga një komunikatë për media, në fillim ata u pritën dhe u shoqëruan nga zv.ministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla dhe zv.komandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi.

Më pas në takim të veçantë, deputetët, të shoqëruar edhe nga kolegët e tyre nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, kryesuar nga zv.kryesuesi, deputeti Enver Dugolli, u pritën edhe nga Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Nga të dyja palët u vlerësua lartë bashkëpunimi ndërinstitucional dhe shkëmbimi i eksperiencave edhe në nivele të tilla, si vlerë e shtuar e marrëdhënieve të ngushta vëllazërore.


Gjithashtu, të gjithë ishin të një qëndrimi se, mbikëqyrja parlamentare është instrumenti i fuqishëm i kontrollit demokratik të forcave të dy vendeve tona, si forca moderne me përcaktim dhe doktrinë me bazë në vlerat e qarta euroatlantike.

Vizita vazhdoi më pas edhe në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, ku u pritën dhe u informuan nga shefi i stafit, gjeneralbrigade Jeton Dreshaj, duke përfunduar me vizitën në Qendrën e FSK-së për Studime Univesitare “Wesley Clark”.

Po ashtu, deputetët nga Shqipëria janë pritur edhe nga zëvendësministrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Blerim Gashani e Bardhyl Dobra si dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti, ku është diskutuar rreth çështjeve të sigurisë për të dyja vendet, thellimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm, marrëveshjet e nënshkruara deri më tani ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë si dhe mbi zbatueshmërinë e këtyre marrëveshjeve.

Në një fjalë rasti zëvendësministri Gashani ritheksoi se Ministria e Punëve të Brendshme mbetet e përkushtuar që bashkë me autoritetet e Republikës së Shqipërisë të angazhohen maksimalisht në luftim të krimit të organizuar, korrupsionit, kontrabandës, migrimit të paligjshëm dhe fenomeneve të tjera negative që cenojnë sigurinë e shtetasve tanë nga dy anët e kufirit.

Në fund të takimit të dyja palët u dakorduan që bashkëpunimi mes dy ministrive dhe agjencive vartëse duhet të intensifikohet edhe më shumë dhe roli i komisioneve mbikëqyrëse të jetë jo vetëm monitorues por edhe këshillues në mënyrë që të garantojmë siguri dhe stabilitet në vendet tona.

Lexo edhe

Video