​Deputetët diskutojnë rreth pabarazisë gjinore të grave në shoqëri

Në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet rreth pabarazisë gjinore të grave në shoqëri, deputetja Shqipe Mehmeti-Selimi ka thënë se e rëndësishme mbetet përfshirja e grave në sektorin e sigurisë.

Ajo ka thënë se në shoqërinë kosovare duhet luftuar për ambient të barabartë dhe për të drejtat e garantuara me ligj.

“Në shoqërinë tonë duhet luftuar edhe për ambient të barabartë ashtu sikur edhe për të drejtat e garantuara me ligj. Sikur në përfaqësim politik në Kuvend apo në Qeveri, roli i gruas duhet të ketë hapësirën e nevojshme edhe në institucione të tjera, sidomos në ato të sigurisë, polici, ushtri e të tjera. Nëse dikur në luftë kishte Xheva e Fatmire, Kosova sot ka plot të tilla që mund t’i shërbejnë vendit tonë ndonëse në kushte dhe rrethana të tjera. E rëndësishme mbetet përfshirja e grave në sektorin e sigurisë në Kosovë, edhe pse në numër shumë të vogël gratë kanë qenë të përfshira në procesin e ndërtimit të sektorit të sigurisë”, ka thënë ajo.

E deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku ka thënë se gratë ballafaqohen me pabarazi në shumë fusha përfshirë pronën dhe trashëgiminë.

Ajo ka përmendur edhe dhunën ndaj grave dhe ngacmimet seksuale në rrugë për çka ka thënë se institucionet e sigurisë dhe gjyqësori duhet të distancohen nga gjuha dhe komunikimi patriarkal.


“Gratë shtatzëna nuk preferohen në vende pune për shkak se duhet pushimi, prandaj në vend të urimit të bëjmë diçka korrekte. Urimi më i mirë është avancimi i barazisë gjinore në të gjitha fushat e jetës duke e respektuar ligjin. Prandaj edhe ne si LDK këtë rezolutë të propozuar do ta përkrahim”, ka thënë deputetja e LDK-së.

Ndërsa deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi ka thënë se gratë duhet të jenë më të përfaqësuara në institucione.

“Çfarë kemi bërë dhe çka po bëjmë për gratë që kanë mbetur të veja në luftë, si i mbështetëm ato? Çfarë kemi bërë dhe çfarë po bëjmë për gratë e përdhunuara në luftë e ato të dhunuara e keqtrajtuara pas luftës? Pastaj të mendojmë se çfarë kemi bërë dhe çka po bëjmë për të parandaluar martesat e hershme dhe për të shtyrë gratë të marrin ato që i takojnë nga trashëgimia? Çfarë kemi bërë dhe çfarë po bëjmë që gratë të jenë më shumë të përfaqësuara në institucione? Mund të themi që kemi një përfaqësim pak a shumë të mirë në parlament por është e qartë se kemi ende shumë punë për të bërë në institucione të tjera”, ka thënë ajo.

E deputetja Albena Reshitaj ka thënë se kuota prej 30% që u garanton grave ulëse në Parlament po e kufizon pjesëmarrjen më të madhe të tyre.

“Përfundimisht duhet tejkaluar paragjykimet se politika konsiderohet fushë e dedikuar për burrat. Nëse analizojmë ndër vite situatën në tri institucionet kryesore politike të vendit, ky konstatim ende qëndron ndonëse në vitet e fundit kemi një progres të lehtë. Që nga viti 2000 në Kuvendin e Kosovës është bërë e mundur një shkallë minimale e përfaqësimit të grave përmes kuotës e cila u rezervon 30% të ulëseve kundrejt burrave. Personalisht mendoj që kjo praktikë duhet të ndryshohet”, ka thënë ajo.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.