​Deputetët diskutojnë për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, thonë se është punuar pak

Në debatin parlamentar që po zhvillon Kuvendi i Kosovës për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, deputetët kërkuan nga qeveria që të mos mohojë të drejtën e kësaj kategorie për arsimi me punësim.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka tha se në sektorin privat ka fare pak persona me aftësi të kufizuar që janë  të punësuar, derisa në publike raste të tilla numërohen në gishta.

“Paturpësisht disa prej jush, e sigurisht për inate politike, keni mohuar të drejtat e fëmijëve me nevoja të veçanta që të kenë asistent ndihmës dhe rrjedhimisht të ndjekin arsimin e rregullt. Por nuk i keni kursyer asnjëherë shpenzimet dhe lluksin për kabinetet enorme qeveritare”, tha ai.

Ai tha se fëmijët me aftësi të kufizuar do të mund të ishin pjesë e shkollimit të rregullt por institucionet qeveritare kanë dështuar të sigurojnë minimumin e mbështetjes që u mundësojnë atyre një të drejtë të tillë të garantuar me ligj.

Ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës, deputeti Frashër Demaj tha Qeveria e Kosovës duhet të rrisë kapacitetet për ofrimin e shërbimeve me personat e me aftësi të kufizuar.

“I rekomandoj Qeverisë së Kosovës të rrisë kapacitetet infrastrukturore, kuadrovike, e financiare për trajtimin efikas dhe ofrimin e shërbimeve të përhershme profesionale për këtë kategori shumë të rëndësishme të shoqërisë kosovare”, tha ai.


Besa Ismaili nga Partia Demorkatike e Kosovës tha se gjatë pandemisë me Covid-19, personat me aftësi të kufizuara janë afektuar në mënyrë disproporcionale.

“Personat me nevoja të veçanta përballen edhe me shumë pabarazi në qasjen e kujdesin shëndetësor gjatë pandemisë për shkak të informacionit dhe mjediseve të paarritshme institucionale përfshirë këtu edhe udhëzime e protokolle mjekësore selektive që vetëm sa shtojnë diskriminimin me të cilin ata përballen, një praktikë premtuese do të ishte edhe krijimi i një grupi këshillimor për persona me nevoja të veçanta dhe me pjesëmarrjen e vet këtyre personave, për të këshilluar Qeverinë në çështje specifike të tyre”, tha ajo.

E sipas, Arbër Tolajt, nga grupi parlamentar AAK-PSD, propozim-rezoluta nga deputeti Fetah Rudi duhet të gjejë mbështetje të plotë pa përjashtim.

“Problemi i aftësisë së kufizuar nuk është individual, por problem me natyrë komplekse politike, sociale dhe financiare njëkohësisht, Flasim për situatë sfiduese jo vetëm pata, por për familjen, institucionet dhe vet shoqërinë. Pavarësisht vështirësive të  gjithë ne obligohemi të përmirësojmë cilësinë e jetës së personave me nevoja të veçanta në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Ndërsa deputetja nga grupi Nisma-AKR, Arbëreshë Krasniqi, tha se do të përkrahin rezolutën e propozuar nga deputeti Fetah Rudi.

“Për ne që sot jemi këtu, sigurisht që krejt çka do të mund të bënim, do të duhej të bënim por kemi bërë pak, dhe sot u ftoj juve që bashkërisht me ne të jeni kërkuar edhe ndaj neve, edhe ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, që të bëhet më shumë për juve si kategori”, tha ajo.

Seanca sot po mbahet me inicim të deputetit Fetah Rudi, për të diskutuar rreth të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në Ditën Ndërkombëtare të tyre.

Lexo edhe

Video