​Demhasaj: LDK duhet ta tërheq mocionin, Kosova duhet të shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Seanca e jashtëzakonshme për votimin e mocionit të mosbesimit të iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk duhet të mbahet. Gjasat që një gjë e tillë mos të ndodhë janë që LDK ta tërheq këtë mocion për shkak të situatës pandemike në vend dhe nëse shpallet gjendje e jashtëzakonshme.

Kështu konsideron drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Çohu”, Arton Demhasaj, i cili për KosovaPress, thotë se në një situatë të tillë, të gjitha partitë politike në pushtet dhe opozitë duhet të koordinohen për të luftuar këtë pandemi. Megjithatë, sipas tij, këto të fundit po bëjnë politikë në dëm të qytetarëve të vendit.

“Në situatën në të cilën ndodhet Kosova sot, një mocion i tillë nuk duhet të dorëzohet momentalisht në Kuvend të Kosovës, pra duhet të pritet të paktën të kalohet situata aktuale që po kalon epidemia. Dhe pas kalimit të epidemisë me leximin edhe ndoshta të situatës, atëherë edhe mund ta nis këtë proces, por momentalisht unë mendoj që LDK dhe as partitë tjera opozitare nuk duhet ta mbështesin një nismë të tillë, pikërisht për shkak të epidemisë që po kalon Kosova. Pas kalimit të epidemisë atëherë mund të vazhdojnë procesin, sepse ne nuk mund ta obligojmë LDK me zor që të rri në qeveri me LVV-në”, thotë ai.

Thotë se në këtë situatë, assesi Kosova nuk duhet të mbes pa qeveri, prandaj sipas tij, LDK duhet ta tërheq mocionin i cili është dorëzuar me nënshkrime këtë të premte në Kuvendin e Kosovës. Ndërkohë, sipas tij, vendi duhet të shpall gjendje të jashtëzakonshme.

“Në rast se shpallet gjendja e jashtëzakonshme, nëse shpallet pastaj situata e shpalljes së përgjithshme e jashtëzakonshme në vend, mundet me i pezullu të gjitha punët, e në këtë rast edhe punën e Kuvendit të Kosovës. E ky është skenari i mundshëm që mundet me shty votimin e mocionit të mosbesimit në Kuvend. Ndërsa, mundësia e dytë është që Lidhja Demokratike e Kosovës me terhjek komplet mocionin e mosbesimit të paktën për një kohë, që ky me u iniciu në një kohë tjetër kur situata epidemike mundet me qenë më e qetë ose e tejkaluar komplet”, shton ai.


Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk ka marrë masat e duhura për luftimin e këtij virusi, marrë parasysh siç thotë ai, se vonë janë bllokuar linjat ajrore.

“Duke marrë parasysh disa rrethana që vazhdimisht po vërehen që e para është që vendimet e qeverisë ose të ekipit emergjent, në krye me kryeministrin dhe ministrin e Shëndetësisë nuk po respektohen në masë të madhe nga qytetarët atëherë mendoj që është e pashmangshme që Kosova sa më shpejt duhet me shpall gjendje të jashtëzakonshme… Po shohim që qytetarët vazhdimisht po qarkullojnë dhe me  grupe të mëdha të njerëzve që kjo pastaj është rrezik shumë i madh i përhapjes së virusit. Unë mendoj që Kosova nuk i ka marrë masat e duhura dhe kjo ka rreziku që sot të kemi një numër kaq të madh të infektuarve që janë të konfirmuar, e që një numër i madh nuk janë të konfirmuar për shkak se pak po bëhen pak teste”, deklaron Demhasaj.

Ndër të tjera, Demhasaj thotë për KosovaPress, se që nga fillimi i qeverisjes në koalicion të LVV-së e LDK-së, ka pasur dallime në qëndrime mes këtyre dy partive.  Edhe në rast se nuk votohet mocioni i LDK-së, Demhasaj konsideron se efikasiteti i qeverisjes së këtyre dy partive nuk do të ekzistojë.

Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës të premten ka dorëzuar me 45 nënshkrime mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë Kurti. Partia Demokratike e Kosovës nuk ka nënshkruar këtë mocion, megjithatë ka deklaruar se e përkrah atë. Ndërkohë, ende nuk dihet se kur do të mbahet kjo seancë.

 

Lexo edhe

Video

error: