​Çitaku: Qeveria të ngritë në instanca të larta planifikimin e Serbisë për ekzekutimin e ish-senatorit Marty

Nënkryetarja e Partisë Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të ngritë në instancat më të larta ndërkombëtare planifikimin e ekzekutimit të ish-senatorit zviceran, Dick Marty nga shërbimet sekrete serbe.

Çitaku në një konferencë për medie, theksoi se interesat e shtetit të Kosovës dhe luftës së drejtë të UÇK-së duhet të mbrohen edhe në mbledhjen e këtij muaji të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ajo tha se Kosova duhet të anëtarësohet sa më shpejt në Këshillin e Evropës dhe aty përmes një rezolute të re të demaskohet raporti i ish-senatorit Marty.

“Shpresoj që platforma e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të mos përdoret për plasimin e politikave të brendshme, por për mbrojtjen e interesave të shtetit të Kosovës dhe luftës së saj të drejtë. Qeveria e Kosovës ka instrumentet e domosdoshme në dorë që të ngritë këtë çështje në instanca të larta dhe gjëja tjetër është që Kosova sa më parë të anëtarësohet në Këshillin e Evropës dhe aty të demaskohet përmes një rezolute të re raporti i senatorit Dick Marty”, tha Çitaku.

Nënkryetarja e PDK-së tha se kjo tendencë e rikonfirmon faktin që Serbia po përpiqet edhe më tej ta njollosë të vërtetën për Kosovën dhe UÇK-në.

Madje, ajo tha se kjo situatë duhet të jetë një shkëndijë fillestare edhe për vet Bashkimin Evropian.


“Kjo situatë e krijuar, është një shkëndijë fillestare jo vetëm për Kosovën, por edhe Bashkimin Evropian dhe gjithë ata që besojnë në drejtësi për të shtruar disa pyetje për të cilat ish-senatori Marti do të duhej të sqarohej. Cilat kanë qenë rrethanat që kanë nxitur apo detyruar z. Marty që të hetojë pretendimet e fabrikuara nga shërbimi sekret serb dhe ai rus për trafikimin e organeve nga UÇK-ja? Kush dhe cilat shërbime sekrete i kanë dhënë Martyt dëshmi e prova, mbi të cilat ai ka ardhur në konstatimet e tij për krimet e luftës së UÇK-së? A ka qenë i kërcënuar apo shantazhuar atëherë, dhe a ndihet i manipuluar sot, pasi që vetë jeta e tij është në rrezik, nga po të njëjtat struktura që luajnë edhe rolin e kriminelit edhe të viktimës?”, theksoi Çitaku.

Sipas saj, kjo çështje e vë në pikëpyetje tërë klauzolën e aktakuzave të ngritura ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Ajo shtoi se edhe më shqetësues në këtë rast, është vërtetimi i manipulimit që i është bërë ish-senatorit Marti nga shërbimet sekrete serbe, të cilat e kanë furnizuar atë me informata të fabrikuara dhe dosje të prodhuara në kabinetet politike në Beograd dhe Moskë, mbi bazën e të cilave është ngritur edhe Gjykata Speciale.

“Kjo çështje vë në pikëpyetje tërë klauzolën e aktakuzave të ngritura ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të cilat s’kemi pasur kurrë dyshim se janë fabrikë dhe manipulim është një kambanë që duhet të trajtohet seriozisht dhe do të duhej të prodhonte reflektim edhe tek institucionet e Kosovës, të cilat që nga raportimi i këtij zhvillimi jashtëzakonisht të rëndësishëm, ende nuk kanë pasur kurrfarë qëndrimi. Nuk është fjala për çështje historike, politike, e identitare. Fjala është për bazën mbi të cilën janë ngritur akuza konkrete. Dhe kjo bazë, e ka një adresë në Beograd e një në Moskë. E ka një procedurë, shantazhin. Si dhe një qëllim, dëmtimin e imazhit të Kosovës. Duke lënë anash komponentin e drejtësisë, në të cilën besojmë, zhvillimet e fundit me senatorin Marty tregojnë se në Hagë, nuk ka substancë të besueshme për trajtim. Prandaj, përballë këtyre ngjarjeve që demaskojnë përpjekjet e shtetit serb kundër lirisë dhe pavarësisë sonë, kundër integrimit dhe konsolidimit tonë të jashtëm, ne të gjithë e kemi obligim që ta mbrojmë Kosovën dhe imazhin e saj.”, tha Çitaku.

I pyetur nga gazetarët, Çitaku foli edhe për pritjen e ambasadorit të Serbisë, Marko Gjuriq në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti i ShBA-së, Joe Biden.

“Nuk duhet të shqetësohemi nga prania e zotëri Gjuriq në Uashington dhe Shtëpi të Bardhë. Ne duhet të shqetësohemi nga mos prania jonë, mos prania e udhëheqësve të Kosovës, qoftë në Departament të Shtetit, qoftë në Shtëpi të bardhë dhe Pentagon. Jam e bindur se edhe ambasadorit të Kosovës do t’i rezervohet një pritje e njëjtë, pasi i rezervohet të gjithë ambasadorëve të akredituar në Uashington”, tha ajo.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.