​“Çështja e personave të pagjetur, e varur në ajër për 21 vjet”

​“Çështja e personave të pagjetur, e varur në ajër për 21 vjet”

Familjarët e personave të pagjetur janë ushtarët e paqes në Kosovë. Tash e më shumë se dy dekada, janë në ankth dhe u shkelet e drejta e tyre elementare; informimi për vendndodhjen e më të dashurve të tyre. Ndërkohë, Republika e Kosovës po synon të marrë njohje nga shteti fqinj, dhe po pret të arrijë një marrëveshje finale brenda vitit. Nuk u mësuan asnjëherë lokacionet se ku janë dërguar mbi 1.600 shqiptarë gjatë luftës së 98-99’. Aq më tepër nuk u arrit që kjo çështje të diskutohet në nivel të lartë në tavolinën e Brukselit, mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Çështja e personave të pagjetur po konsiderohet të jetë e varur në ‘ajër’ për 21 vjet. Ashtu siç janë varur sot fotografitë e familjarëve të këtyre personave, të cilët përfaqësojnë një person të fotografuar që lidhet me kujtimet, mungesën dhe jetën e tyre pas humbjes së personit të pagjetur.

“Ballafaqimi me të harruarën”, kështu është titulluar ekspozita, ku kanë zë vend fotografi në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”.

Kjo me qëllim që të dokumentohen dhimbjet e secilit nga familjarët dhe të inkurajohet shpresa e tyre se një ditë do të zbardhet fati i mbi 1600 të zhdukurve.

Dardan Hoti, autor i kësaj ekspozite thotë se 21 vjet pas luftës në Kosovë, ende vazhdon të ketë pritje, lutje, vuajtje të familjarëve të tyre të cilët vazhdojnë të kërkojnë ata.


Për gjithë këto vjet pritje, Aurela Kadriu, e cila ka qenë pjesë e ekipit të ekspozitës, thotë se përgjegjës janë institucionet, për çka çështja e tyre është e varur “në ajër”.

Prapa çdo fotografie gjenden citate të cilat janë pjesë të rrëfimeve të jetës së familjarëve të cilët janë dërrmuar nga pritja. Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit për të Pagjetur thotë se si pasojë e luftës ende 1644 persona evidentohen si të zhdukur.

Gjetaj thekson se këtyre familjarëve që tash e mbi 20 vjet presin një lajm për më familjarët e tyre, duhet shteti t’u qëndrojë afër.

Kjo ekspozitë mbështetet nga forumZFD-Programi në Kosovë përmes fondeve të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Lexo edhe

error: