​Certifikohen rezultatet në 18 komuna, ankesat shtyjnë certifikimin në Prizren, Dragash e Kllokot

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet përfundimtare të raundit të dytë të Zgjedhjeve për kryetarë të 18 komunave, nga 21 sa ishin në balotazh.

KQZ ka certifikuar rezultatet zgjedhore për 18 komuna, si Gjakovë, Drenas, Gjilan, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik dhe Mamushë.

Ndërkaq, për Komunën e Dragashit, Prizrenit dhe Kllokotit nuk është bërë një gjë e tillë për shkak se aktualisht në PZAP janë në procedurë të shqyrtimit dhe vendosjes dy ankesa që kanë të bëjnë me komunën e Prizrenit dhe Kllokotit, ndërsa një tjetër, që ka të bëjë me komunën e Dragashit është në proces në Gjykatën Supreme.

Rezultatet përfundimtare të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale janë prezantuar nga kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.

“Sot gjatë ditës i kemi pranuar dy shkresa nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykata Supreme, ku PZAP thekson se mund të vazhdohet me certifikimin e rezultateve përveç Komunës së Dragashit, Prizrenit dhe Kllokotit, për të cilat ende nuk është vendosur sipas ankesave të tyre. Në PZAP ende janë çështjet e Prizrenit dhe të Kllokotit, ndërsa në Gjykatën Supreme është çështja për Komunën e Dragashit duke u trajtuar…Edhe pse ende kemi për t’i certifikuar edhe tri komuna, për kryetarët e zgjedhur dhe të certifikuar, si dhe për anëtarët e asambleve të certifikuar ju dëshiroj suksese dhe punë të mbarë”, tha ai.


Kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës janë shpallur fitues në pesë komuna, ku në Istog ka fituar Ilir Ferati me 56.16 përqind të votave, në Fushë Kosovë Burim Berisha me 65.45 përqind të votave, në Prishtinë Përparim Rama me 50.98 përqind të votave, në Viti Sokol Haliti me 51.44 përqind të votave, në Junik Ruzhdi Shehu me 53.80 përqind të votave.

Lëvizja Vetëvendosje dhe kandidatët e saj kanë fituar në katër komuna, në Gjilan Alban Hyseni me 51.10 përqind të votave, në Kamenicë Kadri Rahimaj me 56.34 përqind të votave, në Podujevë Shpejtim Bulliqi me 52.06 përqind të votave, në Shtime Qemajl Aliu me 50.67 përqind të votave.

Kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës janë shpallur fitues në tri komuna, ku në Drenas fitues është shpallur Ramiz Lladrovci me 54.16 përqind të votave, në Kaçanik Besim Ilazi me 53.91 përqind të votave, në Vushtrri Ferit Idrizi me 53.19 përqind të votave,

Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidatët e saj janë shpallur fitues në tri komuna, në Gjakovë Ardian Gjini me 55.97 përqind të votave, në Klinë Zenun Elezaj me 55.16 përqind të votave, në Rahovec Smajl Latifi me 65.19 përqind të votave.

Në komunën e Obiliqit ka fituar kandidati nga Iniciativa Qytetare për Obiliq Xhafer Gashi me 61.30 përqind të votave, në Malishevë kandidati i Nismës Socialdemokrate Ekrem Kastrati me 53.10 përqind të votave, ndërsa në në Mamushë kandidati i KDTP Abdulhadi Krasnic me 63.19 përqind të votave. /M.Duraku/

Lexo edhe

Video