​Çeku: Kemi identifikuar 200 monumente në gjendje të rëndë

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit(MKRS), Hajrulla Çeku ka deklaruar se shumë shpejt do të fillojnë punimet brenda kompleksit memorial “Adem Jashari”. Ai po ashtu ka njoftuar se është duke u hartuar plani zbatues për procesin e aplikimit dhe anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Në mbledhjen e Komisionit për Kulturë, ai ka bërë të ditur se janë identifikuar 200 monumente të cilat janë në gjendje të rëndë dhe se në vitin e ardhshëm do të bëjnë ndërhyrje në 50 prej tyre që janë në rrezik.

Në raportimin para anëtarëve të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, ministri Hajrulla Çeku ka njoftuar se mbështetja totale financiare për organizatat dhe individët në fushën e trashëgimisë kulturore për vitin 2021 është mbi 910 mijë euro.

Ai theksoi se pas një studimi të gjendjes fizike të kullave të Jasharajve, së shpejti pritet të fillojnë punimet në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

“Është themeluar komiteti ndër-ministror për kompleksin ‘Adem Jashari’ në Prekaz. Për herë të parë është realizuar studimi profesional i vlerësimit i gjendjes fizike të ndërtesave brenda kompleksit. Janë hartuar projektet e ndërhyrjeve emergjente dhe së shpejti pritet të fillojnë punimet brenda këtij kompleksi. Është themeluar edhe komisioni i ekspertëve, si trup profesionale e komitetit. Ndërsa, gjatë pjesës së parë të vitit të ardhshëm në bazë të rekomandimeve të komisionit të ekspertëve do të marrim edhe vendimin për hapat e master-planit për kompleksin memorial ‘Adem Jashari’”, ka deklaruar Çeku.

Më tej, ai gjatë raportimit ka bërë të ditur se është themeluar komisioni shtetëror për dokumentimin e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore nga forcat serbe gjatë luftës 98-99. Për këtë, ai theksoi se është nismë për herë të parë, ku do të përgatitet edhe kërkesa për dëmshpërblim. Çeku shtoi se do të kërkojnë kthimin e artefakteve nga muzeu i Beogradit.

Në raportimin para anëtarëve të komisionit, ai tha se kanë planifikuar një milion euro buxhet për ndërhyrje emergjente në monumente.

“Nga vlerësimi në terren kemi identifikuar 200 monumente në gjendje të rëndë. Kemi dyfishuar fondin për ndërhyrje, deri tash kanë përfunduar 9 asete, 19 janë në realizim, ndërsa për 18 asete po realizohen procedurat e prokurimit. Ndërsa, ndërhyrjet fillojnë ditëve në vijim. Gjatë vitit 2022 do të vazhdojmë me mbi 50 ndërhyrje në monumente që janë në rrezik, e synimi jonë është që në vitin 2023 të mos kemi asnjë monument që është në rrezik të shkatërrimit. Pas shumë vitesh është riaktivizuar sistemi i mbrojtjes së përhershme të aseteve të trashëgimisë. Gjatë këtij muaji do të dorëzojmë 30 dosje të nominimit në KKTK. Ky proces dinamik do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2022”, ka thënë ai.

Sipas tij, kanë shtuar 17 asete të reja në listën e mbrojtjes së përkohshme, siç është teatri Dodona, kino-Rinia, shkolla “Gjon Serreqi”.  


Ai ka folur edhe për Manastirin e Deçanit, ku tha se kanë kundërshtuar listimin e saj në organizatën “Europa Nostra”.

“Kemi kundërshtuar në të gjitha format përfshirjen e manastirit e Deçanit në listën e organizatës ‘Europa Nostra’ për trashëgiminë kulturore në rrezik në Evropë. ‘Europa Nostra’ ka premtuar që do të vij në Kosovë për një vlerësim të gjendjes, por për fat të keq ende nuk kanë ardhur, sepse nuk kanë ardhur as në fazën kur e kanë futur Manastirin e Deçanit në këtë listë. Paralelisht kemi kërkuar nga ICOM International një vlerësim profesional për manastirin e Deçanit. Ky vlerësim do të na ndihmojë që të vazhdojmë insistimin tonë në raport me UNESCO-n që t’i largojë katër monumentet tona nga lista e trashëgimisë botërore në rrezik[…]Paralelisht jemi duke e hartuar planin zbatues për procesin e aplikimit dhe anëtarësimit të Kosovës në UNESCO”, ka njoftuar Çeku para anëtarëve të komisionit.

Në mbledhjen e së martës, Çeku ka theksuar se është formuar grupi koordinues për hartimin e koncept-dokumentit, me qëllim të bazës për Ligjin Unik të Kulturës.

Për këtë ka pyetur edhe anëtarja e komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, Eliza Hoxha, duke vijuar me atë se pse nuk është shpallur ende drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve.

“Pse duhet të ndryshohet statuti, ndërkohë që po bëhet ligji dhe pastaj ato statute duhet me qenë në harmoni me ligjin. A nuk do të duhej me prit, që të përfundojë ky ligj dhe statutet përditësohen karshi ligjit të ri për kulturë. Ku keni thënë se do të keni një ligj gjithëpërfshirës. E përmendet që institucionet do të kenë drejtues të rinj në fillim të vitit të ardhshëm. Mua më intereson të di, meqenëse jam në dijeni që procesi për drejtorin e ri të Galerisë Kombëtare është zgjedhur, ka përfunduar. Nuk e kuptoj pse nuk e shpalleni, meqenëse i gjithë procesi ka përfunduar?”, ka pyetur ajo ministrin Çeku, duke shtuar se kur do të shqyrtohet projektligji për Kinematografinë.

Ministri i Kulturës ka njoftuar se Projektligji për Kinematografinë nuk do të procedohet këtë vit për miratim në Kuvendin e Kosovës. Kjo meqë, sipas tij, ka ende kërkesa edhe nga vet komuniteti.

Ndërsa, sa i përket shpalljes së drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Bislimi Bislimi tha se nuk ka përfunduar e gjithë procedura, meqë ka sinjalizime të gabimeve në këtë proces.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se gjatë vitit të ardhshëm do të rinovohet Teatri Kombëtar i Kosovës.

Lexo edhe

Video