​BPB inauguron Akademinë e Burimeve Njerëzore

Banka për Biznes, me datë 19 maj ka inauguruar Akademinë e Burimeve Njerëzore, në zyrat e këtij institucioni në Prishtinë.

Në këtë ceremoni të pranishëm kishte nga institucione të ndryshme, partnerë të Bankës për Biznes.

Anita Kosumi-Ajeti, udhëheqëse e Departamentit të Burimeve Njerëzore në BPB ka thënë se ideja e Akademisë kishte nisur disa vite më parë, fillimisht, me programin BPB Junior, që tashmë po kalon nëpër gjeneratën e pestë.

“Bashkë me ekipin e Burimeve Njerëzore dhe të gjitha strukturat e Bankës kemi punuar bashkërisht për hapjen dhe kurorëzimin me Akademi të programit BPB Junior të cilin e kemi shumë të suksesshëm që nga viti 2018-të. Disa prej bashkëpunëtorëve që i kemi këtu, i falënderoj, sepse na kanë mbështetë në ideologjinë tonë qysh prej fillimit. Kemi përfaqësues të Bankës Qendrore, të Shoqatës së Bankave, kemi trajnerë të ndryshëm që na kanë besuar që ajo që ne duam të arrijmë me punën me studentë është e vlefshme dhe na kanë përkrahë në vazhdimësi”, ka thënë Kosumi-Ajeti.

“Ne kemi qenë me fat që e kemi pasur përkrahjen e vazhdueshme nga menaxhmeti ekzekutiv, e në veçanti kryeshefi ekzekutiv, Arton Celina. Qëllimi ynë është që përmes këtij programi me kriju një urë tranzicioni prej universitetit në industri. Patjetër që qëllimi ynë është që studentët të i mbajmë brenda bankës edhe me qenë shtylla kryesore e rekrutimit për bankën tonë. Gjithsesi qëllimi ynë është në nivel të shoqërisë, të ju ndihmojmë të rinjëve që përveç edukimit që e marrin në universitet tona, të punojnë me aftësitë e tyre që janë të domosdoshme për orientim në karrierë”, ka thënë Kosumi-Ajeti.

Kryeshefi Ekzekutiv i Bankës për Biznes, Arton Celina tha se me Akademinë e Burimeve Njerëzore, BPB po e dëshmon rolin e saj në shoqëri.


“Jam shumë i lumtur sot që po jetësojmë këtë projekt madhor, një nga më domethënësit në investimet tona viteve të fundit, ju siç e dini shumica viteve të fundit kemi pasur një transformim rrënjësor institucional dhe kemi arritur në një nivel të lartë të qëndrueshmërisë financiare, personelit, infrastrukturës dhe e gjitha kjo falë sakrificës së shumë njerëzve këtu, njerëzve të mirë, me përvojë, pa përvojë, ekonomistë, inxhinierë, të gjithë të bashkuar për një mision të përbashkët, me e bë BPB-në, institucion aktiv dhe dinamik në treg, por edhe të përgjegjshëm në shoqëri”, ka thënë Celina.

I pranishëm në këtë ceremoni nga Banka Qendrore e Kosovës ishte edhe zëvendësguvernatori Sokol Havolli, që foli para të pranishmëve për rolin që Akademia do të luajë në përgatitjen e gjeneratave të reja për sektorin financiar.

“Ideja e zhvilluar nga vetë BPB-ja, ka qenë që të ndërtohet një akademi që do t’i përgatis gjeneratat e ardhshme për sektorin financiar fillimisht. Por, pse jo ekspertët e sektorit financiar vazhdimisht kanë arritur që të kontribuojnë edhe në zhvillimin dhe në ndërtimin edhe të industrive të tjera dhe këtu kemi edhe përfaqësues të sektorëve të tjerë të biznesit, që sigurisht e kanë parë vlerën e njerëzve të cilët janë të përgatitur nga sektori financiar, se sa të rëndësishëm janë ata për zhvillimin, qoftë të firmave individuale, apo të bizneseve dhe industrive në përgjithësi dhe mua më ka lënë jashtëzakonisht përshtypje kjo iniciativë e BPB-së”, ka thënë Havolli.

Akademia e Burimeve Njerëzore, është transformuar si e tillë pas disa vitesh punë intensive që është bërë me programin BPB Junior, që fillimisht kishte nisur si ide për orientimin e studentëve në karrierë si dhe rekrutimin e stafit të ri brenda institucionit.

Studentët e përzgjedhur për këtë program janë trajnuar për tre muaj me radhë nga ekspertët më të mirë të fushës së bankingut dhe jo vetëm, derisa, momentalisht, janë duke u bërë përgatitjet finale për gjeneratën e re të këtij programi, ku kanë aplikuar më shumë se 400 të rinj.

Gati 400 punonjësve të BPB-së, përmes kësaj akademie u mundësohet zhvillimi profesional, duke i njohur me mjedise të reja, pikërisht, përmes moduleve të hartuara nga ekspertët më të mirë të fushës.

Lexo edhe

Video