​Biznesmeni Bedri Rexhepi dyshohet se u vra për 30 mijë euro, ngrihet aktakuzë ndaj dy personave

Prokurori Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut, për rastin e biznesmenit Bedri Rexhepi. Aktakuza është ngritur për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”.

Prokurori i rastit, Armend Hamiti theksoi se motivi i vrasjes dyshohet të jenë 30 mijë euro, raporton Kosovapress.

“Dje gjatë ditës kam informuar familjarët e viktimës se në bazë të gjeturave antropologjike mjekoligjore dhe të dhënave nga raporti stomatologjik para vdekjes si dhe provave të tjera dhe rrethanave të çështjes është vërtetuar identiteti i viktimës. Andaj, pas hetimit, sigurimi tët të gjitha provave dhe dëshmive, kam arritur të vërtetoj dyshimin mirë të bazuar dhe kam ngritur aktakuzë kundër dy personave, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu në drejtim të veprës penale ‘Vrasja e rëndë në bashkëkryerje’ dhe ‘Dëmtimi varreve apo kufomave’ siç parashihet me Kodin Penal të Kosovës”, tha ai.


Prokurori në rastin e zhdukjes së biznesmenit Bedri Rexhepi, ka thënë se motivi kryerjes së këtyre veprave penale është i ulët.

“Motivi i kryerjes së këtyre veprave penale për fat të keq është i ulët, pasi që sipas hetimit tonë i cili ka zgjatur përreth 18 muaj rezulton se vrasja ka ndodhur për shkak të fitimit material, gjegjësisht shuma 30 mijë euro, ku të akuzuarit kanë besuar se tani i ndjeri Bedri Rexhepi i posedon, për të cilin kanë bërë plan dhe kanë ekzekutuar”, theksoi ai.

Hamiti ka folur edhe për historikun e rastit Bedri Rexhepi, i cilli nga data 8 prill 2021 rreth orës 16:00 i njëjti ka dalë nga banesa e tij dhe prej asaj kohe nuk është parë më nga familjarët.

Ndërsa, një ditë më vonë, më 9 prill të vitit të kaluar rreth orës 12:36, sipas tij është pranuar një informacion i parë lidhur me një automjet të braktisur që është gjetur në një arë në fshatin Shushicë, në rrugën për Janjevë. Vetura ka qenë e mbyllur, askush nuk ka qenë në të. Vetuar është rezultuar se është e Bedri Rexhepit. Për këtë rast ka pasur edhe të arrestuar lidhur me dyshimet për përfshirje në rrëmbimin e Bedriut.

Lexo edhe

Video

Komentet janë të mbyllura.