Bislimi thotë se në Bruksel iu përgjigj Serbisë për asociacionin

Bislimi thotë se në Bruksel iu përgjigj Serbisë për asociacionin

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka treguar për takimet që kishte në Bruksel.

Ai ka thënë se në Bruksel kanë pasur fillimisht takime të ndara Kosovë-BE dhe Serbi-BE.

Bislimi thotë se në takimin që kishte me të ngarkuarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak janë identifikuar 11 marrëveshje në të cilat Serbia nuk i ka përmbushur detyrimet e saja por që thekson se në asnjë fjali të vetme nuk është përmendur asociacioni.

Ndërsa në takimin trepalësh Kosovës-Serbi-BE që është mbajtur të mërkurën Bislimi thotë të kenë shtuar vërejtje. Pas kësaj Bislimi thotë se pala serbe ka ngritur pesë shqetësime e me fokus ishte asociacioni.

Postimi i plotë i Bislimit:


Çka u tha rreth asociacionit në takimin trepalësh në Bruksel?

Në Bruksel kemi pasur fillimisht takime të ndara Kosovë-BE dhe Serbi-BE. Takimi Kosovë-BE është mbajtur ditën e martë dhe ka zgjatur 6 orë e gjysmë, plus 1 orë e 20 minuta dy takime tet-a-tet mes meje dhe z. Lajçak. Në këtë takim mes tjerash kemi identifikuar 11 marrëveshje në të cilat Serbia nuk i ka përmbushur detyrimet e saja. Me asnjë fjali të vetme nuk është përmendur asociacioni. E vetmja çështje ku qëndrimi ynë dhe i BE nuk ka qenë i njëjtë kishte të bënte me tabelat KS.

Takimi Serbi-BE është mbajtur të mërkurën në mëngjes dhe ka zgjatur afërsisht 3 orë. Pala serbe ka ngritur 5 tema ku ka pretenduar që pala kosovare nuk i ka përmbushur obligimet e saj.

Takimi trepalësh Kosovë-Serbi-BE është mbajtur të mërkurën me fillim në ora 13 e 30 dhe ka zgjatur 3 orë e 20 minuta. Pala jonë i ka shtruar sërish vërejtjet tona dhe pas nesh pala serbe ka ngritur 5 shqetësimet e saj, natyrisht me fokus kryesor tek asociacioni. Në përgjigjen time ndaj “shqetësimeve” të ekipit serb, kam adresuar edhe asociacionin.

Në përgjigje, te pjesa e asociacionit, fillimisht kam konstatuar mungesën e kredibilitetit moral nga ana e Serbisë për të kërkuar çfarëdo implementimi nga pala kosovare, për aq kohë sa ata vetë nuk kanë implementuar asnjë marrëveshje tek e cila nuk kanë parë përfitim për Serbinë. Pastaj i kam radhitur të gjitha strukturat ilegale paralele të Serbisë në Kosovë si në politikë, siguri, arsim, shëndetësi, ekonomi dhe financa, dhe kam vërtetuar që me kohë Serbia jo që ka punuar në shuarjen e tyre, por i ka fuqizuar të njëjtat, përfshirë vendimet për emërime të nënshkruara nga individë kyç si presidenti, kryeministri apo kryetari i parlamentit serb, dhe problemet me transferin ilegal të parave për financim të tyre. Kam përmendur ndërmarrjet që operojnë ilegalisht në Kosovë, si dhe kryetarët e disa komunave të cilët në të njëjtën kohë kanë buruar nga zgjedhjet lokale në Kosovë dhe financohen nga buxheti i Kosovës dhe janë edhe të emëruar si kryetarë të “institucioneve të përkohshme” të Serbisë në Kosovë.

Kam konstatuar se këto struktura, Serbia nuk është duke i ngritur pa ndonjë arsye, dhe që ata kanë si synim legalizimin e të njëjtave përmes asociacionit. Poashtu kam shtuar se vetëm atëherë kur në Kosovë të mos funksionojë asnjë strukturë paralele serbe; kur nuk do ketë financim ilegal nga Serbia dhe kur askush në Evropë të mos e kontestojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, mund të ulemi dhe diskutojmë seriozisht për modalitetet më të përshtatshme për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të minoriteteve, natyrisht, nëse edhe vetë minoritet e konsiderojnë këtë të nevojshme, duke përmendur faktin që pas hedhjes poshtë të asociacionit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, asnjë serb i Kosovës nuk protestoi por vetëm Beogradi reagoi.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: