​Bislimi dhe kryetari i Parlamentit të Landit të Austrisë së Ulët flasin për integrimin evropian të Kosovës

​Bislimi dhe kryetari i Parlamentit të Landit të Austrisë së Ulët flasin për integrimin evropian të Kosovës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim kryetarin e Parlamentit të Landit të Austrisë së Ulët, Karl Wilfing.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se në këtë takim, zëvendëskryeministri Bislimi foli mbi prioritetet e Qeverisë në agjendën ambicioze të këtij viti në integrimin evropian. Pas aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Kosova synon të aplikojë për anëtarësim në BE brenda këtij viti.

Çështje tjetër me rëndësi ishte dhe tema e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ku u theksua nevoja për përfundimin e këtij procesi dhe pritjes së gjatë për qytetarët e Republikës së Kosovës.


“Gjithashtu, zëvendëskryeministri Bislimi e njoftoi Wilfing dhe delegacionin për avancimet që ka bërë Kosova në zhvillim ekonomik, sundimin e ligjit, demokratizimin, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se përballimi i sfidave të përbashkëta, siç është aktualisht kriza energjetike dhe inflacioni ishin tema të tjera të diskutimit.

Wilfing ishte i shoqëruar nga nënkryetari i parë, Karl Moser, deputetët Rene Pfister e Dieter Dorner, zëdhënësi Christoph Fuchs, ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger dhe zëvendës ambasadori Martin Schaller.

Lexo edhe

Video