Qeveria nuk ndryshon qëndrim për Trustin

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Qeveria vazhdon të mbajë qëndrim të njëjtë, kundër tërheqjes të një shume të caktuar të mjeteve nga Trusti.

Zëvendëskryeministri Bislimi në tryezën “Ndikimi i tërheqjes së kursimeve pensionale deri në 30% në ekonominë e Kosovës” të organizuar nga Instituti GAP theksoi se ideja e një grupacioni politik për tërheqjen e mjeteve nga Trusti është politike dhe kërkon tetë vjet rikuperim.

Derisa ka komentuar masën e fundit të Qeverisë për mbështetjen e qytetarëve me nga 100 euro.

“Diku 800 mijë apo më shumë se 70 përqind e popullsisë në moshë të rritur nuk mund të përfitojnë asgjë nga kjo skemë ose përfitojnë pjesa më e vogël e tyre, 337 mijë në mesatare diku 120 euro. Tash për një fenomen, i cili është identifikuar si problem i madh, si ka mundësi që zgjidhja të gjendet në një instrument i cili siguron një tërheqje prej 120 euro dhe ky projekt mbështet nga një grupacion politik, i cili publikisht ka thënë se masa e Qeverisë për 100 euro, është asgjë. Pra, si ka mundësi që një masë e Qeverisë, e cila 800 mijë qytetarë u ndanë nga 100 euro është asgjë, ndërkaq masa e propozuar, e cila ta shkatërron sistemin pensional, të kërkon tetë vjet për të rikuperuar dëmin”, theksoi Bislimi.

Ndërkaq, deputeti Bekim Haxhiu si iniciues i ndryshimit të Ligjit për tërheqjen e 10-30 për qind të mjeteve në Trust, theksoi se kërkesa e tij ka impakt ekonomik jopolitik.


Deputeti Haxhiu iu përgjigj Bislimit edhe sa i përket njohurive për çështjen e Trustit. Sipas tij, zëvendëskryeministri Bislimi është ai që as faqen e parë të Trustit nuk e ka lexuar.

“A ka nevojë Kosova për reformë pensionale? Po, ka nevojë dhe ideja është t’u mundësojmë qytetarëve që këtë krizë ta përballojnë me disa prej kursimeve të tyre edhe të kalojmë në reformën pensionale… Pa rënë në grackën e zëvendëskryeministrit që në vazhdimësi po shikon me banalizuar këtë debat, jo zëvendëskryeministër, faqen e parë, por të gjitha raportet e Trustit prej vitit 2011 kur jam deputet i kam lexuar dhe kam dhënë vlerësime pozitive për këto. Por, fatkeqësia për këtë vend, është që zëvendëskryeministri as faqen e parë të Trustit nuk e ka lexuar, edhe nuk e di qysh janë të ndara dhe si ruhen kursimet tona pensionale. Dhe, s’po ka guxim t’i përgjigjet as penalistëve se kur do të ndodhë reforma pensionale. Po të sfidoj, tregona një datë për reformën pensionale… Prej 30 deri 40 mijë janë 2 për qind, ti je duke i lexuar 35 mijë 40 mijë, mos iu refero të dhënave gabim”, theksoi Haxhiu.

Blendi Hasaj nga Instituti GAP tha se deputeti Haxhiu ka rënë në gracë të disa koncepteve ekonomike sa i përket tërheqjes së mjeteve të Trustit.

“Vet Haxhiu e tha që njëra prej impakteve kryesore nëse lejohet tërheqja e mjeteve nga Trusti është rritja e kërkesës agregate, për këtë theksova që më duket që ka rënë në grackën e disa koncepteve ekonomike, sepse për dallim prej vitit 2020 kur kemi pasur nevojë me u rritë kërkesa agregate, tash nuk kemi nevojë me u rritë kërkesa agregate, sepse inflacioni nuk luftohet ashtu”, theksoi Hasaj.

Në Kuvendin e Kosovës ka hyrë në procedurë shqyrtimi i Projektligjit, i cili parasheh tërheqjen e parakohshme e deri të 30% të kursimeve pensionale dhe i  njëjti pritet të shqyrtohet këtë të enjte.

Në korrik të vitit 2020, Instituti GAP kishte tërhequr vërejtjen se lejimi i njëhershëm i tërheqjes së parakohshme të kursimeve pensionale mund të shndërrohet në precedent edhe për kriza të ardhshme. Ende pa u mbushur dy vite, tani kemi nismën e dytë, dhe më e madhe se ajo e para, për të lejuar qasje në kursimet pensionale të qytetarëve.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.