Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ditën e sotme (e martë) në një deklaratë për media ka denoncuar publikisht ndërhyrjen e kryeministrit Edi Rama që po bën në fushatën elektorale të Turqisë. Gjithashtu, ai akuzoi se është arsyeja pse shqiptarët po largohen nga Shqipëria.
Berisha tha se Rama po mashtron, manipulon dhe varfëron shqiptarët. Ai deklaroi se 10 vite më parë në Shqipëri ishin rrogat më të larta në rajon përfshirë edhe vendet e BE-së, ndërsa tani rrogat janë më të ulëta edhe se në Kosovë.
“10 vite më parë, shqiptarët ishin qytetarët me rrogat më të larta në rajon, përfshi këtu edhe dy vende anëtare të BE, Bullgarinë dhe Rumaninë. Sot, qytetarët shqiptarë kanë rrogat më të ulëta në rajon, 30-40% më të ulëta se vetë Kosova… Në 8 vite, u larguan nga Shqipëria 35% e popullatës së vendit, më shumë se u larguan nga Siria në luftë civile apo se ç’po largohen nga Ukraina pas agresionit barbar”, deklaroi Berisha.
Berisha synoi që nëpërmjet kësaj deklarate t’i përçojë një mesazh komunitetit shqiptar i cili ndodhet në Turqi, duke kërkuar që të mos dëgjojnë Ramën, që ka mbështetur Erdoganin, por të të votojnë të lirë për dinjitetin dhe të ardhmen e tyre.
Të dielën në Shqipëri mbahen zgjedhjet lokale ku votuesit shqiptarë do të zgjedhin 61 kryebashkiakët e rinj si dhe këshilltarët bashkiakë. Gara është kryesisht mes Partisë Socialiste të Edi Ramës dhe koalicionit “Bashkë fitojmë” të Ilir Metës dhe Sali Berishës. Ndërsa Partia Demokratike e Shqipërisë e Enkelejd Alibeajt garon në disa bashki.