Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dënuar me forcë sulmin ndaj Policisë së Kosovës ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku ndërsa i palgosur Alban Rashiti. Ai tha se ky akt i organizuar kriminal është cenim i rëndë i rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
“Dënoj me forcë sulmin ndaj policisë së Kosovës në komunën e Leposaviqit, ku mbeti i vrarë një polic dhe u plagosën dy të tjerë. Ky akt i organizuar kriminal është cenim i rëndë i rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, shkroi Begaj në rrjete sociale.
Ai ka pasur një kërkesë ndaj komunitetit ndërkombëtar për të reaguar ndaj atyre që kanë urdhëruar dhe atyre që kanë zbatuar këtë sulm.
“I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë me vendosmëri ndaj urdhëruesve dhe zbatuesve të këtij akti tejet të rëndë për stabilitetin e Kosovës dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, vijoi Begaj.
Ai ka shprehur ngushëllimet e sinqerta për familjen e policit të vrarë dhe uroi shërim të shpejtë për policët e plagosur.
Ndërsa ka kërkuar nga autoritetet qetësi dhe bashkëpunim të ngushtë mes KFOR dhe aleatët.
:Në këto momente nevojitet më shumë se kurrë qetësi, maturi dhe bashkëpunim i ngushtë me KFOR dhe aleatët”, tha Begaj.
“Shqipëria është gjithmonë në mbështetje të Kosovës”, përfundoi Begaj.