​BE: Kosova refuzoi propozimin e QUINT-it për zgjedhjet serbe

Bashkimi Evropian tha se Kosova ka refuzuar “një propozim konstruktiv të paraqitur nga QUINT” për të lejuar qytetarët kosovarë me shtetësi serbe që të shprehin vullnetin e tyre të dielën e 3 prillit në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë.

Zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë,Peter Stano, në një konferencë për media tha se Bashkimi Evropian së bashku me vendet e QUNIT-it kanë qenë të angazhuar në mënyrë shumë aktive për të gjetur një zgjidhje.

Megjithëse, nuk tregoi se për çfarë propozimi kishte refuzuar Kosova, Stano u shpreh se bëhej fjalë për një zgjidhje praktike duke përdorur analogjinë nga praktikat e mëparshme, të cilat janë krijuar gjatë votimeve të mëparshme për qytetarët me të drejtë vote, që banojnë jashtë vendit të tyre të origjinës.


“Përderisa ne e pranojmë se Serbia ishte e gatshme në gjetjen e një zgjidhjeje, neve na vjen keq që konsensusi ndërmjet palëve nuk është gjetur përfundimisht pas vendimit të Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga QUINT-i. Pra, ne e konsiderojmë këtë vendim në kundërshtim me angazhimet e Kosovës në rrugën e saj evropiane, për të ardhmen e saj evropiane, dhe në kundërshtim me parimin e mbrojtjes së të drejtave demokratike të të gjithë qytetarëve të saj, duke përfshirë edhe qytetarët që i përkasin popullatës joshumicë. Pra, tani presim që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet dhe retorika që mund të rrisin tensionet. Dhe ne gjithashtu u bëjmë thirrje të dyja palëve që të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në negociatat e vazhdueshme në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE”, tha Stano.

Stano gjithashtu tha se nuk ka asnjë takim të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë të aranzhuar në kuadër të dialogut mes dy vendeve porse po punohet në këtë drejtim.

“Nuk ka asnjë takim që do të mund ta shpall që sot, në kuadër të dialogut, në nivel të lartë, por ne po punojmë për këtë qëllim dhe ne realisht u bëjmë thirrje të dyja palëve që të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive, në mënyrë që të mund të organizohet një takim i tillë”, vijoi Stano.

Në këtë konferencë, Stano foli edhe për faktin që Serbia nuk ka zbatuar të gjitha sanksionet ndaj Rusisë, madje duke qenë vendi i vetëm në Evropë që ka mbështetur Rusinë me marshe, duke thënë se pret që Serbia të përafrohet me qëndrimet e Bashkimi Evropian. 

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.