​BE: Çdo veprim i njëanshëm që pengon lirinë e lëvizjes duhet të ndalet menjëherë

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për çështje të politikës së jashtme dhe siguri, Peter Stano ka thënë se BE po e përcjell me shqetësim situatën në veri të Kosovës. Ai ka deklaruar se duhet të ndalet menjëherë çdo veprim që pakoordinuar i cili rrezikon stabilitetin dhe pengon lirinë e lëvizjes së qytetarëve. Ai ka konfirmuar që BE ka ftuar Kosovën dhe Serbinë të takohen në Bruksel dhe ka theksuar se të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Stano ka thënë se fokusi duhet të kthehet të normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve Kosovë-Serbi që sipas tij është thelbësor për rrugët e tyre përkatëse të integrimit evropian.

“BE-ja po e përcjell me shqetësim situatën në veri të Kosovës. Të gjitha palët e përfshira duhet të qëndrojnë të qetë dhe çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që rrezikon stabilitetin dhe sigurinë në terren dhe pengon lirinë e lëvizjes së të gjithë qytetarëve duhet të ndalet menjëherë. Mënyra e vetme për të zgjidhur mosmarrëveshjet është përmes dialogut dhe negociatave. BE-ja ka qenë dhe mbetet në kontakt të ngushtë me Kosovën dhe Serbinë për të qetësuar tensionet, si dhe në koordinim të ngushtë me EULEX-in, KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë, e veçanërisht me SHBA-në”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.

Sipas tij, propozimi për të shtyrë implementimin e reciprociteti për targat ishte i shefit të politikës së Jashtme dhe sigurisë, Josep Borrell dhe i mbështetur plotësisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


“Pas pranimit nga Kosova të kërkesës së Borrellit dhe SHBA-së për të shtyrë masat e planifikuara në lidhje me targat dhe kartat e identitetit, me kusht që të hiqen të gjitha barrierat, BE-ja ftoi të dyja palët të takohen në Bruksel për të diskutuar rrugën përpara. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE”, u shpreh Stano.

Ai këmbënguli së fokusi duhet të kthehet te normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili, sipas tij, është thelbësor për rrugët e tyre përkatëse të integrimit evropian.

“Jemi shumë të angazhuar dhe jemi duke intensifikuar përpjekjet dhe angazhimet tona me partnerët tanë që t’ju themi që kjo është koha për t’u ulur dhe biseduar, dhe për të diskutuar për zgjidhje dhe të gjendet zgjedhje konsensuale. Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk u sjellin asnjë dobi njerëzve, ngase në fund të fundit, ata që do ta paguajnë çmimin për tensionet dhe mungesën e zgjidhjeve, janë popullata e thjeshtë, serbët dhe kosovarët. Ne jemi të gatshëm, ftesat u janë dërguar të dy palëve për të ardhur në Bruksel, për t’u ulur dhe për të biseduar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE, ngase kjo është platforma më e mirë për të gjetur zgjidhje, ngase kjo është platforma qenësore, dhe faktori kryesor në rrugën e Serbisë dhe Kosovës drejt BE-së”, përfundoi Stano.

Gjatë konferencës që pati kryeministri Albin Kurti në mesditë deklaroi se ende nuk kishte prnuar ftesë për takim në Bruksel, por shtoi se është i gatshëm të takohet sa herë shfaqet nevoja./G.Kadrija

Lexo edhe

Video