​Basha kërkon dënimin e gjenocidit serb në Kosovë: Çdo qëndrim tjetër amnisti e fshehtë ndaj Serbisë

Ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit Edi Rama në parlament në lidhje me projektrezolutën për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë.

Basha tha se, sado që Rama të fshihet pas gjuhës që përdor në parlament nuk mund të bëjë amnisti ndaj të shkuarës, pasi sipas tij ajo rrezikon të përsëritet nëse nuk dënohet.

Në fjalën e tij në Kuvend, Basha u shpreh se sot është një ditë e rëndësishme për këtë institucion i cili duhet të dëshmojë edhe një herë se Shqipëria nuk mund të ketë interes më të lartë dhe asgjë më të shenjtë se interesi i Kosovës se nuk mund dhe nuk do të ketë bashkëpunim të qëndrueshëm rajonalë pa pranuar dhe dënuar gjenocidin serb.


“Ndër vite ka pasur përpjekje për të manipuluar faktet dhe për t’i ikur të vërtetave siç ka ndodhur dhe me raportin e Dick Martyt. Një raport ‘fake’ dhe tashmë është e qartë se pas tij fshihen strukturat serbe. Nuk është rastësi, që pasi krijuan një tollovi të madhe në opinionin ndërkombëtarë në përpjekje për të ndryshuar historinë, hapi më i fundit ishte planifikimi për eliminimin fizik të ish-raportuesit të Këshillit të Evropës Dick Marty nga struktura serbe të sigurisë për të fshehur gjurmët dhe për të fajësuar sërish shqiptarët. E vërteta nuk fshihet dot… Lufta e UÇK ishte një luftë e drejtë përballë gjenocidit, spastrimit etnik dhe krimeve kundër njerëzimit që po kryente regjimi i Millosheviçit. Askush nuk mund të barazojë viktimën me agresorin. Askush nuk mund të barazojë luftën e drejtë të UÇK me masakrat dhe gjenocidin”, tha ai.

Basha shtoi se, lufta e UÇK pati në krah të saj NATO sepse ishte një luftë e drejtë. Ai shtoi se shqiptarë patën në krah dhe mbrojtje të tyre të gjitha vendet demokratike sepse ndaj tyre po kryhej gjenocid.

Ish-kreu i PD u shpreh se dënimi i gjenocidit serb në Kosovë ka për qëllim për t’i hapur rrugën të ardhmes në rajon që, sipas tij, nuk mund të jetë e begatë pa u shëruar plagët e luftës.

“Prandaj, ky parlament, burrat dhe gratë me integritet nuk e fusin kokën si struci në rërë, nuk mund të kenë asnjë ngurrim për të folur qartë dhe fortë dhe për të votuar. Makineria ushtarake serbe u urdhërua nga Sllobodan Millosheviçi ka kryer gjenocid, ka kryer spastrim etnik në Kosovë. 1600 persona janë ende pa varr edhe sot që flasim. Dënimi i gjenocidit serb në Kosovë nuk ka për qëllim për të mbetur pengje të së shkuarës së dhimbshme por për t’i hapur rrugën të ardhmes që nuk mund të jetë e paqtë, as e begatë për rajonin pa u shëruar plagët e një lufte që shqiptarët nuk e kanë nisur por e kanë pësuar. Çdo qëndrim tjetër ndaj Serbisë sado të fshihet pas gjuhës së shthurur dhe banalitetit të gënjeshtrave është në fakt një amnistie ndaj të shkuarës që rrezikon të përsëritet nëse nuk pranohet dhe dënohet. Na takon ne të jemi sot zëri i viktimave të këtij gjenocidi, të jemi edhe zëri i Kosovës, në këtë mënyrë ne i japim edhe më shumë zë në arenën ndërkombëtare të vërtetës së hidhur të gjenocidit dhe pastrimit etnik të kryer në Kosovë”, tha Basha.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.