​Banorët e zonës “Qendër” protestojnë për çmimet e parkingut: Janë të papërballueshme

Banorët e zonës “Qendër” në Prishtinës sërish ka protestuar për çmimin e lartë të parkingut të veturave, çështje kjo e rregulluar nga Komuna e Prishtinës përmes ndërmarrjes publike “Prishtina Parking”. Ata thonë se janë pro sigurisë dhe rendit në zonën e tyre por jo me këtë kosto.

Përfaqësuesja e komunitetit lokal për siguri publike “Qendra” në Prishtinë, Violeta Hasani, në një prononcim për KosovaPress tha se duhet të mblidhet me urgjencë Asambleja komunale e Prishtinës për të ndryshuar çmimin.

“Është dita e tretë që jemi duke protestuar për pakënaqësitë e çmimores së ‘Prishtina parking’ e cila po dëshiron me i marrë (hapësirën) qytetarëve te zonës Qendër e ta shndërrojë në treg. Pagesa për banorin për veturën e parë është 10 euro, vetura e dytë 30 euro, vetura e tretë 45 euro për muaj, ndërsa për biznesin, që e ka diskriminuar total, është mujore 45 euro. Në asnjë aspekt nuk e lejojmë ‘Prishtina parking’ derisa ata vazhdojnë me qeverisë me standarde të dyfishta. Kërkojmë nga asambleja komunale me u mbledhë për të rishqyrtuar, me e vendos rregulloren e Kuvendit Komunal për shkak se atë rregullore e kanë sjellë njerëzit dhe atë rregullore munden ta ndryshojnë njerëzit”, tha Hasani.


Ndërsa, avokati Rrahim Ajeti, zyra e të cilit ndodhet po në atë lagje, thotë se para një jave zyrtarët e këtij parkingu i kanë njoftuar se nuk mund të parkojnë më, ndërsa thekson se çmimet janë të papërballueshme.

“E kam zyrën e avokatisë në këtë lagje, para një jave zyrtarët e ‘Prishtina Parking’ na kanë njoftuar që këtu nuk keni mundësi me i parku veturat, çmimi është 45 euro për biznese ndërkaq 10 euro për banorët. Ne si biznese nuk na e lejojnë, as mundësojnë, as të paguajmë 45 euro sepse janë në proces të identifikimit të banorëve, ne qëndrojmë prapa kërkesave të banorëve sepse çmimet janë të papërballueshme për banorët. Por edhe këto çmime nuk është dashtë fare të caktohen sepse këta banorë kur i kanë blerë banesat i kanë blerë bashkë me parking dhe janë të pandashme. Ne kërkojmë që banorëve t’iu mundësohet parking siç ka qenë ndërsa për biznese t’iu mundësohet edhe atyre që te kenë të paktën nga një veturë për biznes”, tha Ajeti.

Banorët kanë kërkuar që të takohen me përfaqësues të ndërmarrjes publike “Prishtina Parking” ose me të Drejtorisë së Shërbimeve Publike të Komunës së Prishtinës për të diskutuar rreth kësaj çështjeje. Ata thonë se nuk do të ndalojnë së protestuari derisa kërkesat e tyre të marrin zgjidhje.

Kujtojmë se “Prishtina Parking” është ndërmarrja që rregullon sistemin e parkimit në kryeqytet. Varësisht nga zona ka edhe çmime të ndryshme parkimi./G.Jashari/

Lexo edhe

Video

error: