​Bajrami: A ka sot fytyrë Qeveria me e publiku listën e top 50 përfitueseve që ka subvencionuar

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami vendimin e ZRrE-së për rritjen e energjisë elektrike e ka quajtur si shkelje të madhe, për çka ka kërkuar edhe dorëheqjen e Bordit të këtij institucioni.

Ajo iu është drejtuar qytetarëve të Kosovës se qeveria e 51%  i ka braktisur.

“Qeveria e 51% nuk është sot këtu, ajo iu ka braktisur, ajo sot ka vendosur që me 90 milionë, taksat tona, sepse në fund të fundit  edhe tatimi në fitim dhe doganën dhe TVSH konsumatorët janë ata që i kanë të kalkuluar në çmim, janë konsumatorët, janë qytetarëve, ka vendosur t’ua paguajë bizneseve. Cilave biznese? A jo ato top 50 bizneset që i pati publikuar Hekuran Murati në momentin kur e mori mandatin dhe tha e këto i ka ndihmuar qeveria Hoti. Ne, po, i patëm ndihmuar por mbi kriterin e punësimit për çdo të punësuar  e sot kujt po ia subvenciononi energjinë elektrike, qendrave tregtare, pompave të benzinës. A mundet sot Hekurani, a ka sot fytyrë Qeveria e Kosovës me e publiku listën e top 50 përfitueseve nga 90 milionë, të cilën ka vendosur ta subvencionojë”, tha ajo.

Ajo tutje tha se Bordi i ZRrE-së duhet të jap dorëheqje sepse ka vënë në lajthitje të gjitha institucionet.


Bajrami tutje ka thënë se ZRrE-ja ka lajthitur me çmime në dokumentin konsultativ, pasi fillimisht janë dërguar komente për të hyrat deri në 132 milionë euro, por sipas saj, një ditë para se të ngritet çmimi, ZRRE-ja ka rritur në 251 milionë euro të hyrat.

“Ky vendim është jashtëzakonisht i padrejtë, jashtëzakonisht diskriminues. ZRrE, bordi duhet me dhënë dorëheqje sepse ka bërë shkeljen më të madhe, na ka vënë në lajthitje ne të gjithëve, jo vetëm  deputetëve e Kuvendin por të gjitha institucionet ku për dy javë ne kemi dhënë  propozime e komente. Kritika bazuar në atë që ka thënë që të hyrat ekstra të lejuara janë 132 milionë dhe sot del se janë 251 milionë”, tha ajo.

Sipas saj, Qeveria barrën prej 161 milionëve ua kanë lënë 20% të qytetarëve.

“Qeveria me 90 milionë vendos me subvencionu energjinë elektrike për krejt sektorin privat, vendos me subvencionu për 80% të ekonomive familjare, sipas ZRrE-së  po shpenzojnë më pak në mesatare gjatë vitit më pak se 800 kilovatë dhe barrën prej 161 milionë euro e ka lënë tek 20% e qytetarëve apo 125 mijë familje. Por sipas llogaritjeve tona, të ekspertëve tanë, ne e dimë që shtrenjtimi i faturave të energjisë elektrike do të prekë një numër shumë më të madh të familjeve në fakt do e prek secilën familje e cila gjatë muajve të dimrit ngroh një dhomë të shtëpisë ose banesës së tyre”, theksoi Bajrami.

Lexo edhe

Video