​Baerbock: Kosova ka kryer punët për liberalizimin e vizave, para statusit të kandidatit për BE është dialogu me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmjen e së enjtes ka pritur në takim ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock.

Pas takimit rreth njëorësh, në një konferencë për medie,  Kurti tha se Kosova është partner i qëndrueshëm për Gjermaninë dhe BE-në, megjithëse u shpreh se qytetarët janë të pakënaqur për vonesat në liberalizim të vizave.

Ndërsa, kryediplomatja gjermane, tha se Kosova ka kryer punët e saja për liberalizim të vizave dhe i mbetet BE-së të jap dritën e gjelbër. Ajo kërkoi përparim në dialogun Kosovë-Serbi. Sipas saj për Kosovën para anëtarësimit në BE është statusi i kandidatit, ndërkaq para statusit të kandidatit është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Ndërkohë, kërkoi një zgjidhje për votimin e qytetarëve serbë të Kosovës për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen në Serbi, më 3 prill.  

Është e vërtet se qytetarët janë të pakënaqur me vonesat për liberalizimin e vizave, por për asnjë moment popullin e Kosovës, kjo nuk e bënë të mendoj për aleanca të tjera. BE-ja, sidomos Gjermania, ShBA-të, Mbretëria e Bashkuar, NATO ky është përcaktimi ynë. Për këtë kemi nevojë për ndihmën tuaj. Një prej arsyeve që ne nuk jemi aq cinik dhe aq të  siç janë disa lider të tjerë në Ballkanin Perëndimor karshi BE-së është fakti se një mungesë e besimit të BE-së në Ballkanik Perëndimor në këtë dekadën e fundit është shprehje e mungesës së vetëbesimit të BE-së. Bashkimi Evropian duhet të besoj më shumë në Ballkanin Perëndimor, por edhe në vetvete. E në Ballkanin Perëndimor e ka një shtet që është Kosova se është një partner i besueshëm dhe qëndrueshëm i cili kurrë nuk lejon të ketë interesa pa vlera. Duam rritje ekonomike, por duam drejtësi shoqërore, sundim të ligjit demokratizim dhe kështu me radhë. Në një situatë të jashtëzakonshme nuk mund të përdorim metodat e vjetra të zakonshme. Andaj përshpejtimi i hapave të integrimit është mirë për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor”, tha Kurti.

Para diplomates gjermane, kreu qeveritar tha se pas agresionit rus nuk është në rrezik vetëm Ukraina, andaj theksoi se ndihma e BE-së dhe NATO-s për Ballkanin Perëndimor kurrë s’ka qenë më e nevojshme.

“ U dëshmua që lufta hibride nuk është zëvendësim për luftën, por është fazë përgatitore për të. Pra, ajo që është luftë hibride rrezikon kollaj që të bëhet luftë. Edhe në Ballkanin Perëndimor ka luftë hibride të udhëhequr nga Federata Ruse, duke mos harruar se ata e kanë qendrën humanitare të ashtuquajtur ‘ruse’ në Nish dhe ‘Sputniku’ qendrën regjionale në Ballkan e ka në Beograd. Ne, sigurisht që nuk frikësohemi por jemi të kujdesshëm meqenëse presidenti despotik, Putin dikur na përmendte neve një herë në muaj e tash disa herë në javë. Krijon dhe sajon analogji të paqena vetëm e vetëm të arsyetojë imperializmin rus dhe hegjemoninë ruse që është nostalgjike për perandorinë e dikurshme. Pra është e rëndësishme të kuptojmë se nuk është në rrezik vetëm Ukraina. Tashmë në Kremlin e kemi një lider të luftës që qartazi nuk do paqe dhe do të përdorë çdo dobësi për hegjemoninë e tij. Andaj ndihma e BE-së dhe NATO-s në Ballkanin Perëndimor kurrë nuk ka qenë më e nevojshme sesa tani”, theksoi ai.


Ndërsa, ministrja Baerbock tha se duhet të ketë forcim të besimit në rajonin ballkanik. Megjithëse tha se nuk është e lehtë, kryediplomatja kërkoi përparime në dialogun Kosovë-Serbi.

“Një nga përparësitë është forcimi i besimit në rajon. Na duhen parasë gjithash përparime në dialogun  për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E di, që për ne është shumë e lehtë të thuhet, e kuptoj sa të dhimbshme janë temat që bëhet fjalë. Pyetjet që ka secila familje në Kosovë deri sot, unë nuk mund ta imagjinojë që këto vuajtje të luftës që ka përjetuar secila familje dhe dhunime që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës do të përcillen me gjenerata. Prandaj dua të theksoj se asgjë nga këto nuk duhet të harrohen dhe të fshihen. Ne si Bashkësi ndërkombëtare do të marrim përgjegjësi dhe të njëjtën kohë kërkohet edhe pragmatizëm dhe guxim për vendime të vështira për t’i dhënë mundësinë për një të ardhme më të mirë. Këtë po theksoj këtu dhe do ta them edhe nesër në Beograd… Me rendësi është bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë edhe kur bëhet fjalë për sfidat akute, sikurse zgjedhjet serbe në prill. Në këtë kontekst duhet të gjendet një zgjidhje për votuesin me të drejtë vote në Kosovë me të cilën pajtohen të dy palët dhe në të mirë të njerëzve”, tha ajo.

Ajo pati një porosi edhe për perspektivën e Kosovës në BE.

“Sinjal të qartë për të perspektivën e BE-së, por para anëtarësimit është statusi i kandidatit, para statusit të kandidatit vjen edhe dialogu për normalizim me Serbinë. Prandaj e theksova se ne si  Gjermani dhe unë si ministre do të bëjmë gjithçka që t’iu ndihmojmë dhe mbështesim që ju të vazhdoni këtë rrugë mënyrë që ky dialog të përparojë dhe të sigurojmë se rajonit nuk do t’i japim vetëm perspektivën për be, por do të mbështesim konkretisht t’i bëjnë hapat në këtë drejtim”, shtoi ajo.

Derisa theksoi se Kosova ka bërë punën e saj për liberalizimin e vizave.

“Kosova në këtë drejtim e ka bërë punën e saj dhe tani i mbetet BE-së që ta bëjë të njëjtën gjë. Kjo nuk është vetëm në emrin tim personal, por këtë e kemi vendosur edhe në marrëveshjen e koalicionit të qeverisë federale dhe për këtë po punojmë. Me kryeministrin kemi folur edhe për rrugën e reformave të forta të cilën e ka nisur qeveria juaj. Luftimi i korrupsionit, forcimi i sundimit të ligjit, ju në këtë rrugë e keni mbështetjen tonë të plotë. Ne e mbështesim forcimin e demokracisë, kjo tregon shumë mund dhe nuk bëhet brenda ditës”, deklaroi Baerbock.

Në këtë konferencë të përbashkët për medie, kryeministri Kurti theksoi se Kosova është përkrahëse e fuqishme e Procesit të Berlinit dhe tregut të përbashkët rajonal.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.