​Anëtarësimi në NATO, Kurti: Shkurtpamësi nëse nuk e kërkojmë, Shqipëria të lobojë për Kosovën

​Anëtarësimi në NATO, Kurti: Shkurtpamësi nëse nuk e kërkojmë, Shqipëria të lobojë për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar të enjten se Kroacia është shteti i parë që Kosova beson se do të lobojë për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO.

I ftuar në emisionin “Desku” të KTV-së, Kurti ka thënë se edhe Shqipëria duhet të lobojë sa më shumë për Kosovën.

“Kroacia ka qenë gjithmonë një vend mik dhe popull mik edhe në kohën e ish-Jugosllavisë lidhja e Prishtinës me Zagrebin ka funksionuar për ta balancuar dominim e Beogradit. Zagrebi dhe Lubjana kanë qenë kryeqendrat të cilat na kanë përkrahur gjatë kohës së okupimit dhe në këtë mënyrë arrinin ta balanconin dominimin e Beogradit. Kroacia është shteti i parë që ne shikojmë nga veri-perëndimi e që është në dy organizatat që ne aspirojmë. Duhet ta pyesim Shqipërinë, shpresojmë që e ka bërë të njëjtën, edhe ajo duhet sa më shumë të avokojë, të lobojë për Kosovën”, deklaroi Kurti.

Shefi i ekzekutivit kosovar shtoi se se do të ishte shkurtpamësi dhe papërgjegjësi nëse Kosova nuk do ta kërkonte anëtarësimin në NATO në kontekstin aktual.


“Vendet anëtare të NATO-s janë më të sigurta, pse edhe ne të mos sigurojmë një gjendje të tillë për Republikën tonë. Nëse ka ardhur një kontekst i ri gjeopolitik, atëherë do të ishte shkurtpamësi dhe papërgjegjësi nëse nuk e kërkojmë tash anëtarësimin në NATO. Është gabim të mos e kërkojmë një gjë të tillë në këtë kontekst aktual”, tha Kurti në KTV.

Kurti gjithashtu ka konifrmuar se Kosova i ka bërë kërkesë misionit të KFOR-it për ta ndaluar hapësirën ajrore për Rusinë, por të njëjtit kanë konsideruar se një gjë e tillë nuk duhet të bëhet.

“I kemi bërë kërkesë KFOR-it sepse hapësirën ajrore e kontrollon KFOR-in, ata kanë qenë në kontakt me Brukselin dhe deri më tani nuk kanë konsideruar se duhet të bëhet një gjë e tillë, me gjasë për shkak të Rezolutës 1244, mirëpo kërkesa nga ana jonë është bërë”, ka thënë ai.

Kurti në KTV, duke folur për munësinë e festabilizimit të Kosovës nga Rusia, përmendi edhe 10 organizata ekstremiste serbe, të cilat siç ka thënë propagandojnë urrejtje nacionale dhe fetare.

“Informatat thonë që janë 10 organizata ekstremiste serbe në Kosovë të cilët janë të ekstremit të djathtë dhe të cilët propagandojnë urrejtje jo vetëm nacionale por edhe fetare dhe që kanë frymë mesjetare të ortodoksisë mistike, dhe që e kanë një këmbë në Beograd dhe një në Moskë. Janë organizata të cilat unë besoj që përveç se kanë lidhje me pushtetin në Beograd mund të kenë lidhje edhe me qendrën humanitare ruse në Nish”, tha Kurti.

Lexo edhe

Video