​Anëtarësia e SBASHK-ut vendos për pezullim të grevës

​Anëtarësia e SBASHK-ut vendos për pezullim të grevës

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka vendosur për pezullim të grevës deri në janar të vitit 2023. Rezultati është publikuar nga vetë SBASHK që tha se rreth 55% të anëtarësisë ka qenë pro pezullimit.

Nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të SBASHK-ut, që është 25.118 nga ta 314 janë në pushime të lindjes apo pushime pa pagesë. Në deklarim kanë marrë pjesë 21.516 ose 86.91%, ndërsa nuk kanë marrë pjesë në deklarim 3.288 ose 13.09%.

Nga të deklaruarit, pro pezullimit të përkohshëm të grevës, më së largu deri në janar 2023, janë deklaruar 11.809 ose 54.88% , ndërsa kundër pezullimit të grevës janë deklaruar 9.707 ose 45.12%.


Sidoqoftë, vendimi përfundimtar për pezullim të grevës do të merret nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ecila do të presë mendimin edhe të sindikatave të tjera që operojnë nën ombrellën e saj.

“Rezultatet do t’i dorëzohen Këshillit Grevist të BSPK-së për t’i bashkëngjitur me rezultatet e deklarime të anëtarësisë së SPAK dhe pastaj do të shpallet vendimi lidhur me grevën, e cila është shpallur nga BSPK”, tha SBASHK-u.

SBASHK-u deklaroi se “edhe njëherë dëshmoi se vepron duke u bazuar në zërin e anëtarësisë, e jo, siç janë munduar të plasojnë shpifje disa individë a grupacione se vendosin individë të caktuar. Kështu u veprua edhe lidhur me grevën e filluar më 25 gusht”.

SBASHK-u ka shprehur respekt për të gjithë mësimdhënësit që, sipas saj, qëndruan dinjitoz gjatë gjithë grevës për shkak të qasjes së gabuar të qeverisë dhe mungesës së vullnetit të ekzekutivit për dialog e zgjidhjen e kërkesave legjitime. 

Lexo edhe

Video