​Albert Zogaj zgjidhet kryesues i ri i Këshillit Gjyqësor të Kosovës

​Albert Zogaj zgjidhet kryesues i ri i Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka mbajtur takimin e 258-të me radhë, nën udhëheqjen e kryesuesit, Skender Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Gjatë këtij takimi anëtarët, si pikë të rendit të ditës kishin zgjedhjen e kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Pas procesit të votimit unanim të anëtarëve të KGjK-së, zgjodhën Albert Zogaj, në pozitën e Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Mandati i tij fillon me 7 korrik 2021 dhe është tre (3) vjeçar.

Zogaj shpalosi objektivat e veta përpara anëtarëve të Këshillit duke u zotuar se gjatë mandatit të tij trevjeçar, do të përkushtohet në ngritjen e transparencës, llogaridhënies dhe nivelit të bashkëpunimit me institucione vendore dhe ndërkombëtare.


Biografia e gjyqtarit Albert Zogaj

Albert Zogaj është gjyqtar në Gjykatën Supreme, dega civile. Gjyqtari Zogaj ka diplomuar me 30.06.2004, në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, ndërsa studimet post-diplomike në drejtimin Juridiko-Civil i ka përfunduar në vitin 2008. Nga dhjetori 2004 deri në dhjetor 2005, ka punuar si avokat-praktikat në Odën e Avokatëve të Kosovës. Në shkurt të viti 2006, përfundoi provimin e jurisprudencës ndërsa nga shkurti i vitit 2006 e deri në tetor të vitit 2010, punoi si avokat në Pejë.

Në tetor të vitit 2010 është emëruar gjyqtar në Gjykatën Komunale në Prishtinë, ku ka punuar deri në dhjetor të vitit 2012. Nga viti 2013 deri më 2015 punoi si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë në Departamentin e Përgjithshëm.

Në gusht të vitit 2015 është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Apelit, në Prishtinë, në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil. Në shtator 2020 është zgjedhur gjyqtar në Gjykatë Supreme. Prej vitit 2008 punon si ligjërues në Kolegjin AAB, njëkohësisht është edhe trajnues në Akademinë e Drejtësisë, në programin fillestarë dhe të vazhdueshëm të arsimimit ligjor.

Ka punuar dhe ka marrë pjesë në disa hulumtim-punime profesionale me institucione të ndryshme si Qendra Juridike e Kosovës, Qendra për të Drejtat e Njeriut e Universitetit të Prishtinës, Institutit Gjyqësor të Kosovës, etj.

Lexo edhe

Video

error: