​Afati i pranimit në konvikte mund të shtyhet, shkak vonesat me konkursin e UP-së

Afati për pranimin e studentëve në Qendrën e Studentëve në Prishtinë mund të hapet më vonë se zakonisht, e gjithë kjo për shkak të vonesave me hapjen e konkursit për pranimin e studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Drejtori i Qendrës së Studentëve në Prishtinë, Fatmir Sfishta, deklaroi për KosovaPress se në të kaluarën gjithnjë afati është hapur në shtator por varen nga konkursi i Universitetit të Prishtinës.

“Zakonisht ne e hapim konkursin në fillim të shtatorit, javën e parë të shtatorit por duke e parë rrethanat që afati për regjistrim në Universitetin e Prishtinës është shtyrë, ne varemi ekskluzivisht nga ky afat sepse ne i strehojmë dhe i vendosim dhe ushqehen studentët e rregullt të Universitetit të Prishtinës dhe jemi të obliguar që ta presim afatin e pranimit të studentëve”, deklaroi ai.

Qendra e Studentëve për vitin akademik që po lëmë pas ka punuar me kapacitetet të kufizuara, saktësisht një student në dhomë duke akomoduar vetëm 1600 studentë. Për vitin e ri akademik ende nuk dihet se me çfarë kapacitetesh do të operojë kjo qendër pasi duhet një vendim qeveritar.


Gjithsesi, Sfishta thotë se kushtet në konvikte pas pandemisë janë zakonisht të mira dhe gati të presin studentët nëse vendoset që të punojë me kapacitet të plotë.

“Kushtet në konvikte pas pandemisë janë zakonisht të mira dhe dashtë zoti që të lirohemi nga këto masa shtrënguese si në Qendrën e Studentëve në Kosovë por edhe në botë dhe kjo qendër ti kthehet masa 100% studentëve dhe me ato kapacitete që i kemi sepse gjatë vitit akademik ne kemi qenë të obliguar të vendosim vetëm nga një student në dhomë dhe shumë studentë kanë mbet pa u vendosur në qendër të konvikteve për shkak të kapaciteteve, kemi pasur 1600 dhoma dhe aq studentë janë vendosur,” tha ai.

Sfishta shton se secili student që dëshiron të banojë në konvikte duhet të jetë i një komune më shumë se 25 kilometra larg nga kryeqyteti. Pikët llogariten përmes një formule ku hyn edhe nota mesatare.

“Çdo student i cili është i një komune që është larg nga kryeqyteti më shumë se 25 kilometra ka të drejtë të aplikojë. Pastaj i marrim pikët e lagësisë, pikët e notës mesatare ose eventualisht ndonjë pikë shtesë nga gjendja e studentëve sepse çfarë kategorie iu takojnë, mblidhen ato pikë. Zakonisht me 20 pikë çdo student është pranuar, varet edhe prej konkurrencës sepse zakonisht kemi konkurrencë shumë të madhe ku 2 studentë aplikojnë për një vend,” tregoi ai.

Drejtori Sfishta tregon se gjatë kohës së pandemisë kur Qendra e Studentëve në Prishtinë është rikthyer në karantinim për qytetarët e Republikës së Kosovës, kishte shqetësuar studentët të cilët ishin banues të këtyre konvikteve, ku këta të fundit edhe kanë bërë ankesë, por ishte një kërkesë nga Qeveria e Kosovës që këto qendra të bëheshin karantinë për qytetarët./G.Mexhuani/

Lexo edhe

Video