​Abdixhiku: Koha të fitojmë betejën diplomatike ndaj Serbisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator është organizuar nga Serbia.

Abdixhiku, në seancën e sotme të Kuvendit, tha se qëllimi i këtij sulmi terrorist ishte krijimi i një realiteti të ri në veri, por që dështoi falë profesionalizmit dhe patriotizmit të institucioneve të sigurisë së Kosovës.

“Këtë të diel Republika e Kosovës u bë cak i një sulmi mirë të organizuar dhe mirë paramenduar terrorist. Në krye të këtij organizimi qëndronte krimineli tashmë i shndërruar në terrorist, Milan Radonjçiq, në mbështetje të tij pa asnjë dyshim qëndronte Republika e Serbisë. Qëllimi ishte i qartë siç u kuptua nga vet sponsorizuarit terrorist, krijimi i një realiteti të ri në veri dhe për krijimin e tij duheshin edhe viktima. Ato vinin në formën e pelegrinëve vizitorë në Manastir të Banjskës si masë nxitëse të një përplasje të mëvonshme të Policisë së Kosovës me popullsinë civile në veri.”, tha ai.


Abdixhiku tha pas triumfit ndaj këtij sulmi terrorist tani është momenti për fitore diplomatike të Kosovës në raport me Serbinë.

Ai ofroi mbështetje ndaj institucioneve, mirëpo theksoi nevojën e bashkërendimit me aleatët ndërkombëtarë, veçmas Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës me të gjitha kapacitetet e saja do të mbështesë gjithherë institucionet e Kosovës në përballje të tilla. Por tani sot na duhet mençuri. Atë që vajzat dhe djemtë tanë e fituan ditën e 24 shtatorit në Banjskë duhet të fitojmë në politikë dhe diplomaci. Tani radhën e ka beteja politike dhe këtu ndërtohen kthesat e mëdha, ne e kemi një mundësi të tillë… Ne duhet të bashkërendojmë veçmas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë pikë propozimi i djeshëm i presidentes të vendit është në vijë me qëndrimet tona si parti. Pra jemi në moment të mirë dhe moment tonin. Prandaj veprimet e ardhshme tonat janë jetike, nuk na duhet të jemi në ndikime të rastit”, shtoi Abdixhiku./KosovaPress

Lexo edhe

Video