​Abdixhiku kërkon që të shkurtohet fushata zgjedhore

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abadixhiku po kërkon që të shkurtohet fushata zgjedhore prej 30 ditë në 10 ditë.

Për këtë çështje Abdixhiku i bëri ftesë publike edhe kryetarit të Vetëvendosjes, që aktualisht është kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj .

Abdixhiku e ka bërë këtë ftesë meqë situata me COVID-19 është rënduar.

“I nderuar kryetar i LVV-së, z. Kurti, I nderuar kryetar i PDK-së, z. Krasniqi, I nderuar kryetar i AAK-së, z. Haradinaj. Po ju drejtohem sot kështu, në këtë formë, për të shtruar para jush e para qytetarëve të Republikës së Kosovës, votuesve tanë, pra të gjithë atyre që ne së bashku i përfaqësojmë, çështjen e organizimit të fushatës zgjedhore në kohë të paprecedent pandemie. Po gjatë 10 ditëve të fundit, mbi 17,420 kosovarë kanë rezultuar pozitiv, që do të thotë se, fatkeqësisht, ritmi i vdekjeve do të vazhdojë edhe për një kohë. Këtë ritëm duhet ta ndalojmë. Përtej përgjegjësive shtetërore që Qeveria i ka, përgjegjësi që duhet t’i ushtrojë me plot kompetencë, përgjegjësi për të cilat do të mbahet për llogari gjithsesi, sot po ju drejtohem secilit nga ju, si kryetarë partish, që të kapërcejmë mbi veten, ti kapërcejmë dallimet e të ndërtojmë një pakt zgjedhor. Më saktësisht, në këtë pakt, propozoj që me vullnet të plotë politik, përkundër rregullativës ligjore në vend, të shkurtojmë fushatën zgjedhore nga 30 ditë në 10 ditë. Ta bartim përballjen politike nga terreni ku grumbullojmë zakonisht me qindra e mijëra njerëz përnjëherë, në debate tjera, televizive, përballje digjitale e sociale”, është shprehur Abdixhiku.


Abdixhiku nëpërmjet video-thirrjes ka propozuar edhe që të udhëzohet kandidatët e partive politike që çdo aktivitet paraelektoral nga sot e deri më 17 tetor ta bëjnë konform rregullave strikte të përcaktuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK). Në këtë mënyrë ai thotë se jo vetëm që do të shpëtojnë jetë njerëzish po edhe do të solidarizohen me mijëra mjek e staf shëndetësor që tash e 18 muaj po përballen me këtë sfidë.

“Të udhëzojmë të gjithë kandidatët tanë, që çdo aktivitet paraelektoral e elektoral nga sot e deri më 17 tetor, ta bëjmë konform rregullave strikte të përcaktuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës. Pra të kemi njerëz aq sa lejohet, të respektohet distanca, e të respektohen masat e tubimeve të vogla siç udhëzohemi nga ekspertët tanë. Kështu, ne jo vetëm që shpëtojmë jetë, jo vetëm që i japim kohë vaksinimit masiv – që duhet të ndodhë – por solidarizohemi njëmend me mijëra mjek e staf shëndetësor që tash e 18 muaj pandalshëm po përballen me sfidën më të madhe njerëzore në 100 vitet e fundit. Po këtë kohë, ta shfrytëzojmë për një fushatë tjetër, atë të ngritjes së vetëdijes publike për procesin e vaksinimit. Në rast të një pajtimi eventual me këtë propozim, sugjeroj ta ftojmë Parlamentin nga pushimi, të aprovojmë një rezolutë në këtë drejtim, e të japim shembull të mirë për vendin, qytetarët tanë e secilin tjetër të përfshirë në këtë drejtim. Në fund, është shëndeti publik, jetët e njerëzve tanë, ajo që mbanë rëndësi”, theksoi ai.

Fushata zgjedhore është paraparë që të filloj nga data 16 shtator deri më 15 tetor.

Javët e fundit në Kosovë janë rritur rastet e vdekjes dhe raste pozitive me COVID-19.

Lexo edhe

Video

3 Comments

Komentet janë të mbyllura.