​AAK pretendon se nëntë ambasadorë të Kosovës janë të jashtëligjshëm

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pretendon se ka pasur shkelje ligjore në përzgjedhjen e ambasadorëve të Kosovës në nëntë shtete.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, në konferencë për medie të enjten, tha se nëntë ambasadorët që kanë kaluar përmes Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, janë të jashtëligjshëm, pasi në momentin e votimit të tyre s’ka pasur kuorum për vendimmarrje dhe se disa prej deputetëve kanë votuar virtualisht përmes telefonit ose Zoom-it.

Kjo sipas saj është në kundërshtim edhe me Rregulloren e Kuvendit, andaj kërkoi interpretim ligjor nga Kuvendi dhe theksoi se do t’i përdorin gjitha instancat ligjore për të kundërshtuar të njëjtit.

“Prezentë në sallën ku është mbajtur mbledhja e komisionit nuk ka pasur prezencë fizike të gjashtë deputetëve, e cila është e përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit. Ndërsa, kryetari i komisionit ka vazhduar dhe ka bërë rekomandimin te presidentja e vendit me vota të deputetëve të cilët i ka kontaktuar përmes telefonit. Meqenëse ishte rasti i parë që isha prezent, fillova të dyshoj se kjo procedurë nuk është hera e parë që po bëhet, pastaj kam hulumtuar dhe kam gjetur se të gjithë ambasadorët që kanë kaluar në procedura të komisionit parlamentar janë jolegjitim sepse nuk janë zgjedhur me vota prezent të deputetëve, por platformën Zoom, ashtu siç e ka quajtur kryetari i komisionit”, tha ajo.

Deputetja opozitare përmendi me emër dhe mbiemër të gjithë ambasadorët, që sipas saj, janë emëruar jashtëligjshëm.


Derisa tha në mënyrë të njëjtë është rekomanduar për konsull në Nju Jork edhe Blerim Reka.

“Përpos konsullit të përgjithshëm kemi rastet, me datën 6 shtator 2021 kandidati i propozuar për ambasador në Kroaci, Martin Berishaj, kjo i bie se edhe ai është jolegjitim. Duke vazhduar në shtator të vitit 2021, kandidati i propozuar për ambasador në Mbretërinë e Holandës, po ashtu është jolegjtim, pasi s’janë respektuar procedurat parlamentare. Po ashtu me datën 6 shtator 2021 kandidati i propozuar për ambasador të Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti. Me datën 6 shtator, kandidati i propozuar për ambasador në Emirate të Bashkuara, Xhabir Hamiti, po ashtu edhe kandidati i propozuar për ambasador në Francë, Mehdi Halimi. Me datën 1 dhe 16 shkurt, kandidati i propozuar për ambasador në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, me datën 16 shkurt 2022, kandidati i propozuar për ambasador në Turqi, Agon Vrenezi, të njëjtën ditë, kandidatja e propozuar për ambasadore në Norvegji, zonja Nita Luci”, theksoi Kadrijaj.

Ajo kërkoi të merren masa për këto që i quajti shkelje ligjore.

“Sot e kam proceduar të njëjtën shkresë i jam drejtuar për interpretim kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjfuca, Kryesisë së Kuvendit dhe Zyrës Ligjore. Nëse nuk merren masa ne do t’i përdorim të instancat ligjore që këta kandidatë që sot i shërbejnë Kosovës janë të paligjshme dhe nuk kanë të drejtë të përfaqësojnë Kosovën në këto vende që janë akredituar”, theksoi ajo.

Javë më parë, Kadrijaj ka ngritur dyshimet e saj për KosovaPress se ka pasur shkelje ligjore në rekomandimin për konsull të përgjithshëm në Nju Jork të Blerim Rekës./E.Zeqiri/ 

Lexo edhe

Video