​AAK për protestën e sotme: Qeveria po prodhon vetëm kriza

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkon që me urgjencë në Kuvendin e Kosovës të sillet për miratim Ligji i pagave.

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj në një konferencë për medie tha se Qeveria aktuale po prodhon vetëm kriza por jo edhe zgjidhje. Për pasojë të kësaj ai tha se po mbahen edhe protesta si ajo e sotmja e mësimdhënësve dhe pjesës tjetër të punëtorëve të sektorit publik.

“Kjo Qeveri po prodhon vetëm kriza, e jo zgjidhje. Qeveria e  Kosovës, tash e një vit vazhdon të prodhojë kriza qofshin ato politike, ekonomike e mbi të gjitha po vazhdon të krijojë krizë të mirëqenies në vend, duke varfëruar qytetarët çdo ditë e më tepër. Greva e sotme e sindikalistëve duke përfshirë dhe mësimdhënësit, vërteton se kjo qeveri qytetarëve nuk po u ofron zgjidhje por kriza.  Mësimdhënësit, që ishin dikur shtyllë e rezistencës kundër armikut, tani në liri po shtypet e po diskriminohen nga kjo Qeveri. Qeveritarët duhet ta kenë të qartë se dalja në rrugë e mësimdhënësve nuk bëhet nga qejfi, por nga zori. Ata gjenden në një situatë tejet të pafavorshme sociale-ekonomike, dhe në këtë situatë janë nga pazotësia e Qeverisë së vendit”, u shpreh Dreshaj.


Dreshaj kërkoi që krahas urgjencës për Ligjin e Pagave, Qeveria e Kosovës të merret me seriozitet edhe për implementimin e Ligjit për sigurime shëndetësore.

Sipas tij, duhet të bëhet edhe plotësim-ndryshimi i Ligjit për Skema Pensionale të financuara nga shteti.

“Ne si Aleancë i rekomandojmë Qeverisë që me urgjencë të sjell Ligjin e Pagave në Kuvend, i rekomandojmë që kjo Qeveri të merret seriozisht me arsimin dhe shëndetësinë duke  impelmentuar Ligjin për sigurime shëndetësore dhe duke bërë plotësim-ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti… Bash këto dy kategori sot janë në shënjestër për të keq, dje protestuan mjekët, sot protestojnë mësimdhënësit”, theksoi ai.

Para Qeverisë së Kosovës sot kanë protestuar punëtorë të sektorit publik duke kërkuar miratim të Ligjit të pagave dhe nga 100 euro shtesa për punëtorët e këtij sektori.

Lexo edhe

Video