​212 afganë përcillen nga Shqipëria drejt ShBA-së

​212 afganë përcillen nga Shqipëria drejt ShBA-së

212 afganë që u strehuan në Shqipëri tashmë janë nisur për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dhe ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim morën pjesë sot në ceremoninë e përcjelljes të 212 shtetasve afganë drejt SHBA-së.

Në fjalën e rastit, Xhaçka kujtoi ditët kur qytetarët afganë mbërritën në Shqipëri, ndërsa shtoi se “ky operacion na ka afruar edhe më shumë me partnerët tanë amerikanë”.

“Sot kam ndjenja vërtet të përziera, nga njëra anë, jam shumë e lumtur për secilin prej jush, e di se kjo është ajo që ju keni dashur, që kjo është ajo që keni ëndërruar dhe jam shumë e lumtur që kjo ëndërr u realizua dhe në një farë mase, ajo u realizua edhe më shpejt nga sa guxuam të shpresonim. E di që shumica prej jush kanë qenë njerëz të suksesshëm në atdhe, në të gjitha kapacitetet e jetës, njerëz që bënë ndryshimin në Afganistan, qoftë në media, qoftë në të drejtat e njeriut dhe të drejtat e grave e në botën akademi. SHBA është vendi më i mirë dhe vendi i mundësive, dhe nëse ia dolët në Afganistan, pavarësisht rrezikut, vështirësive, jam e sigurt se do të keni një të ardhme fantastike në SHBA dhe do të keni sukses atje për shumë kohë”, tha ajo.

Xhaçka tha se ky është fundi i një operacioni për të cilin padyshim ne dhamë gjithçka, ndërsa uroi një të ardhme më të mirë për qytetarët afganë.

“Shpresoj që ju të keni gjithmonë̈ një kujtim të mirë për këtë vend dhe që në të ardhmen do të ktheheni të na vizitoni. Por gjithashtu besoj shumë se ky operacion, evakuimet dhe strehimi juaj, nuk ju ndihmoi vetëm ju, besoj fort se na ka ndihmuar edhe neve. Ky operacion na ka bërë të gjithëve njerëz më të mirë dhe ne nuk do ta harrojmë kurrë këtë përvojë, për më tepër na ka bërë miq dhe e ka bërë edhe më të fortë lidhjen tonë me miqtë e vjetër”, tha ajo.

Xhaçka shtoi se “ky operacion na ka afruar edhe më shumë ne dhe miqtë tanë amerikanë”.


“Njerëz si Ambasadorja Yuri Kim, Keith dhe bashkëpunëtorët e tyre që kanë punuar pa u lodhur për të realizuar pikërisht këtë moment këtu. Ka qenë një nder për ne që të ndihmojmë̈ partnerët tanë në kohën e tyre të nevojës dhe jam e sigurt se aleanca dhe miqësia jonë vetëm sa do të forcohet dhe ka hyrë në një fazë të re”, tha Xhaçka.

Ambasadorja Kim vlerësoi mënyrën se si populli shqiptar mikpriti qytetarët afganë.

“Ju keni bërë një rrugë të gjatë dhe e di që ndoshta ka pasur momente kur keni dashur të hiqni dorë. Dhe ne jemi të lumtur që askush nga ne nuk u dorëzua. As mikpritësit tuaj shqiptarë, as miqtë tuaj amerikanë, as ju, as familjet tuaja. Nuk do ta harroj kurrë natën kur ju mbërritët këtu dhe erdhët gjatë disa netëve njëra pas tjetrës, dhe të shihja se arritët në këtë vend të mrekullueshëm si Shqipëria ishte një moment i ndritshëm në ato ditë të errëta. Ka dy arsye që nuk do ta harroj kurrë ardhjen tuaj. Njëra është guximi juaj. Edhe përpara se të kalonit kohët e vështira gjatë muajit gusht në Afganistan, ju ishit njerëz të cilët rrezikuan veten për të punuar për një Afganistan më të fortë, më të mirë dhe më të lirë. Dhe ju punuat për një botë më të mirë për brezin e ardhshëm. Arsyeja e dytë që nuk do ta harroj kurrë atë që ka ndodhur gjatë muajve të fundit është për shkak të popullit shqiptar dhe mënyrës se si ata hapin krahët dhe hapin zemrat e tyre për të gjithë ne”, tha ajo.

Kim kujtoi se Shqipëria ishte vendi i parë që u ngrit dhe tha: “Ne do të ndihmojmë. Dyert tona janë të hapura. Ejani tek ne”.

“Dhe ajo që kam mësuar në dy vitet e mia këtu në Shqipëri është se populli shqiptar e merr shumë seriozisht mundësinë, përgjegjësinë për t’i hapur derën një të huaji në nevojë dhe për t’ju bërë të ndiheni se jeni vërtet një mysafir. Këtu në Shqipëri ekziston një shprehje: “bukë, kripë dhe zemër të hapur”. Dhe ajo që kam ndjerë këtu është se, nëse shkoni tek një shqiptar në momentin tuaj më të vështirë, kur keni ftohtë, kur jeni të uritur, apo jeni të etur, një shqiptar do ta hapë derën gjerësisht dhe shqiptari do t’ju japë deri thërrimet e fundit të bukës, kokrrat e fundit të kripës dhe gjithçka që mbajnë në zemrën e tyre. Është çështje nderi. Ndaj faleminderit mikpritësve tanë shqiptarë, miqve tanë, zyrtarëve të qeverisë”, tha ajo.

Ambasadorja Kim kujtoi po ashtu strehimin e hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Në ato kohë, kur hebrenjtë vinin sepse e gjithë bota ishte kundër tyre, ishin shqiptarët ata që hapën derën. Siç dhe mund ta dini, ata filluan me strehimin e 200 hebrenjve në këtë vend. Shqipëria është i vetmi vend në të gjithë Evropën që përfundoi me më shumë hebrenj sesa në fillim. Dhe në fakt, ata kishin pothuajse 4000 hebrenj në kohën kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore. E di që, si shumë hebrenj, edhe ju do të keni një vend të veçantë në zemrën tuaj për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar, dhe duhet ta dini se edhe ju lini diçka nga pas këtu, një kujtim shumë të veçantë edhe për ta”, tha Kim.

“Shpresoj ta dini se është një nder i madh për ne që jemi këtu me ju. Ne u përpoqëm të punonim sa më shumë që mundëm duke e ditur që ju po punonit edhe më shumë, dhe jemi të kënaqur që ishim në gjendje të bënim atë pak që kishim mundësi. Sonte, ju po filloni një kapitull tjetër, kapitullin e jetëve tuaja të reja në Amerikë. Ju do t’i bashkoheni një kombi emigrantësh dhe paraardhësve të emigrantëve nga e gjithë bota, pasardhësve të emigrantëve nga e gjithë bota, duke u bashkuar me të tjerë nga Afganistani dhe Shqipëria dhe qindra të tjerëve. Unë jam vetë emigrante, emigrante e gjeneratës së parë. Dhe ajo që dua t’ju them është se keni bërë një rrugë të gjatë, siç them unë, por edhe rruga përpara do të jetë e gjatë. Do të ketë sërish çaste kur do doni të hiqni dorë. Mos u dorëzoni. Mos hiqni dorë”, tha ajo./Atsh

Lexo edhe

Video