​1 vit nga fitorja e LVV-së, pozitë dhe opozitë përplasen për punën e Qeverisë

Pozita dhe opozita në Kuvendin e Kosovës janë përplasur për efikasitetin e punës së Qeverisë Kurti, në 1 vjetorin e fitores së Lëvizjes Vetëvendosje më 14 shkurt të vitit të kaluar. Derisa partia në pushtet e konsideroi të suksesshëm punën e ekzekutivit, opozita e ka quajtur si qeverinë më të dobët në histori të Kosovës.

Deputeti i LVV-së, Armend Muja tha se Qeveria Kurti ka përmbushur katër shtyllat kryesore programore.

“Qeveria ka ardhur me katër shtylla programore kryesore. E para ka qenë vaksinimi, e dyta rikthimi i vendeve të punës në kontekst të krizës ekonomike, e treta rikthimi i rendit dhe ligjit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe e katërta ka qenë dinjiteti i Kosovës në raport të politikës së jashtme. E para sa i përket vaksinimit ne kur kemi ardhur kemi qenë të fundit pa shpresë, sot jemi të parët në rajon. Në procesin e vaksinimit sot jemi lider në rajon. E dyta, sa i përket rikthimit ekonomik do të jap disa shifra që janë relevante për shoqërinë. Ne e kuptojmë se Kosova ka vështirësi ekonomike dhe ka vështirësi në tregun e punës. Megjithatë janë të dhënat që e mohojnë atë që e thotë ky. Ne kur kemi ardhur në pushtet, Kosova kishte vende të punës që ishin afektuar jashtëzakonisht shumë, ndërsa nëse shikon gjitha raportet, sipas ATK dhe trustit janë diku rreth 410 mijë vende të punës të regjistruara ose tatim pagues. Ne duhet të presim për të dhënat e papunësisë reale, por më duhet t’iu rikujtoj se në vitin 2019 kanë qenë 387 mijë. E dyta, është rritja ekonomike që BQK thotë se ka qenë 9.9 përqindja rritja reale dhe e treta të hyrat buxhetore të Kosovës”, tha ai.

Sukseset që po i paraqet Qeveria Kurti, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri i konsideroi si suksese të institucioneve të pavarura dhe agjencive të shtetit.

Ai tha se kabineti qeveritar ka qenë i ngathët dhe ka qenë një prej qeverive më të dobëta që nga shpallja e pavarësisë.  

“Kemi pa ngathtësi jashtëzakonisht të mëdha, kemi pa një qeverisje prej më të dobëtave që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Në anën tjetër puna e institucioneve të pavarura dhe agjencive të shtetit që kanë punuar jashtëzakonisht mirë siç janë doganat, ATK dhe institucionet tjera nuk duhet të lidhen me qeverisjen. Pasi ajo duhet të sjell projekte të reja, investime të reja dhe strategji që zhvillohet vendi. Një gjë të tillë nuk e kemi pa. Ndërsa mosangazhimi i Qeverisë së Kosovës në kohën e duhur, ju e keni pa që është vështirësuar jeta e vendit tonë, kemi rritje të çmimeve të secilit produkt përfshirë derivatet, pastaj produktet esenciale ushqimore. Kemi shtrenjtim të jetës në vend dhe shtrenjtim të energjisë elektrike”, tha ai.

Në linjë të njëjtë u shpreh edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.


“Fatkeqësisht kemi të bëjmë me një Qeveri, e cila është shumë e dobët. Me një qeveri e cila përveç shtrenjtimit të çmimeve, të rrymës dhe mungesës së vizionit në politikë të jashtme dhe dialog nuk ka prodhuar asgjë. Kisha me thënë shkurt se kjo qeveri për këtë vit do të njihet si qeveria më dobët në historinë e Kosovës së pasluftës”, u shpreh ai.

Këto pretendime të opozitarëve i konsideroi si të pasakta, deputeti Muja.

“Pretendimi i kolegëve se Qeveria është më e dobëta është i pasaktë dhe nuk ka nevojë për shumë shqyrtim. Në fakt për qeverinë paraprake të gjithë kemi një dakordim që ka qenë më e dobëta në Kosovë, nuk është konsensus i joni por është konsensus ndërkombëtar”, theksoi ai.

Këto komente deputetët i bënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u caktua që të enjten të mbahet një seancë solemne për nder të 14-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

“Të enjten do të mbahet një seancë solemne në ndërkohë që nga java e ardhshme janë disa pika që janë relevante për shoqërinë. Ajo që dëshirojmë të theksojmë këtu se janë dy ligje të rëndësishme sa i përket luftës kundër korrupsionit që kanë qenë pikat thelbësore programore të LVV-së kanë hyrë në rend të ditës. Ato janë Projektligji për Byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe dy, është Projektligji për deklarimin e prejardhjes dhe kontrollit të pasurisë dhe dhuratave.  Po ashtu, në kuadër të rendit të ditës është Projektligji për agjencinë e Akreditimit që kuadër të reformave është theksuar edhe në Raportin e Progresit. Po ashtu jemi dakorduar që javën e ardhshme të ketë një debat sa i përket dialogut dhe politikës së jashtme të Kosovës”, tha deputeti i LVV-së, Armend Muja.

I pyetur për raportet me deputetët e Listës Guxo, pas certifikimi të kësaj të fundit si parti politike, Muja tha se janë të shkëlqyeshme.

“Disponimi parlamentar mes nesh dhe Listës Guxo ka qenë jashtëzakonisht i shkëlqyeshëm. Ne po ashtu kemi qenë të vetëdijshëm për iniciativën e deputetëve për të krijuar një subjekt politik, i cili nuk është i pazakonshëm. Ndërkohë atmosfera e punës është e shkëlqyeshme, nuk kam vërejtur asnjë dallim”, përfundoi ai.

Lexo edhe

Video