Dimri i madh nė njė shtet tė mėrdhirė!
Prishtinë, ((Behxhet Sh. Shala)) 27 Janar 2012 20:17Befasi e papritur nė kėtė kohė tė pa kohė: Nuk i besonim dhe nuk e merrnim seriozisht doajenin e meteorologjisė kosovare Sylė Tahirsylaj kur thoshte se:
moti në Kosovë do të jetë i ndryshueshëm në këtë dimër sepse do të jetë nën ndikimin e acarit nga Antarktiku, rrymave të ftohta nga Alaska , erërave dhe dunave nga shkretëtira e Saharasë, rrymimeve politike nga Karpatet, temperaturave të larta nga Afrika dhe Brazili, cunamit nga Indonezia, cikloneve të fuqishme që shkaktojnë dridhje tektonike të tokës, pushtetit dhe motit nga Brukseli dhe Washingtoni, bllokadave nga Beogradi, pordhëve kryesisht të ftohta dhe të vakta të spirituozëve politikë, analistëve dhe shvercerëve të shoqërisë civile në Kosovë , falltorëve dhe fallxheshave që parashikojnë me shumë sukses dhe saktësi të kaluarën në Kosovë , faqezinjve të vërtetë dhe atyre të projektuar, ndikimit të rrymave të Golfit në zhvillimet në Siri, konstruktiviteti i Gjet Macollit në Libi , stabilizimi i temperaturave financiare në Greqi , ulja e tensioneve ndëretnike në Maqedoni, përflakja si pasojë e përdorimit të flamurit kombëtar në Mal të Zi, fërkimet e KFOR-it me paramilitarët e Tadiqit në Veri , nga kruarja e boleve të disa z.ministrave dhe këshilltarëve në Qeveri, ngrohja e ajrit në Kuvendin e Kosovës nga gjumi i disa deputetëve që e bëjnë gjumin e ariut, nga bajgat e akumuluara të disa intelektualëve si punime shkencore dhe vepra monumentale e që e kanë një dituri thuaja minimale. etj.etj . Pasi që e kemi injoruar këtë parashikim të motit e cila është e mbështetur në fakte të pamohueshme jemi në situatë kur na ka befasuar bora në muajin janar. Thjesht , nuk kemi qenë në gjendje të përballemi me borën e madhe, erërat e fuqishme dhe bllokimin e rrugëve. Me bllokimin e rrugëve thuaja se jemi ambientuar! Në fakt ne kemi parashikuar se të ftohtit e madh do ta kaplojë Kosovën pas zyrtarizimit të bisedimeve politike me Serbinë ndërkaq që ngritjen e temperaturave e kemi parashikuar pas zyrtarizimit të katër pikave të Boris Tadiqit që po popullarizohet nga shumë ambasadorë të shteteve me ndikim. Rënia shumë e papritur e temperaturave në Kosovë në fund të muajit janar ka shkaktuar shumë probleme lokale, ndërkombëtare dhe globale. Askush që është normal nuk ka mundur të parashoh se në muajin janar mund të bie borë ! Në planin lokal kemi një përfitim sepse rrugët e Prishtinës dhe qyteteve tjera janë bërë poligon i sporteve ekstreme, varianti dimëror i relit Paris Dakar. Kështu që kemi raste kur veturat fluturojnë duke bërë pirueta nga Furra e Qerimit në Breg të Diellit e deri te rrethrrotullimi te QKUK pasi që të jenë fërkuar me ndonjë veturë tjetër apo pasi ta kenë nokautuar ndonjë kalimtar të rastit i cili nuk është pajisur me rekuizita dimërore! Kalimtarët, në pamundësi të shfrytëzimit të shtigjeve për skijim në Brezovicë për shkaqe materiale, teknike dhe politike , rrugët e kryeqytetit i kanë shndërruar në shtigje për lëshime si në Kranjska Gora, Insbruk, Krans Montana, Jahorinë apo Saporo të Japonisë. I shihni duke u lëshuar nga Kodra e Trimave, Varreza e Dëshmorëve, drejtimi i Çagllavicës, Kodra e Diellit ndërsa rrëshqitjet më të mëdha dhe më të rrezikshme për shëndetin politik bëhen nga Kodra e Dragodanit. Në Prishtinë ka edhe kërcimore shumë atraktive! Më e madhja dhe ajo që e rritë adrenalinën por që e thyen edhe ndonjë kockë është kërcimorja e Madhe te Posta e Kosovës. Niseni nga shkallët e para te rrethoja e Leme Xhemës dhe mund të përfundoni te Ora në Kurriz në sheshin Bill Kllinton! Si me qenë në kanjonet e Kolorados! Madje, një miku im që banon te Kroi i Bardhë me shpejtësi të paimagjinueshme ka mbërri para derës së banesës së tij! Me pasoja sikur të ishte kthyer nga sheshi Tahrir i Kairos, gjatë pranverës arabe ! Në planin ndërkombëtar pasojat janë bukur serioze. Kryeministri i Kosovës ( Zezdita po thotë mos me shkruar Republika e Kosovës ) për shkak të motit të keq dhe reshjeve të mëdha të borës nuk ka mundur të realizojë vizitën në Kosovë pasi aeroplani nuk ka mundur të aterojë në aeroportin Adem Jashari .
E keqja tjetër ishte se manekini i kollareve, Robert Kuper, pas takimit me Borko Stefanoviqin dhe arritjes së marrëveshjes me te për vazhdimin e dialogut nuk qe në gjendje të takohet me Zezditën pikërisht për shkak se e kemi injoruar rekomandimin e Sylë Tahirsylës për parashikimin e motit ! Jo për të marrë ndonjë pëlqim nga zonja në fjalë pasi që pëlqimin e ka blanko ! Për të gjitha marrëveshjet dhe për të gjitha situatat ! Kuperi është xhentëlmen i rafinuar ! Ka stil ! Tha se me Zezditën do të komunikojë përmes videolojërave. Mbase me Sony Playstation apo diçka të ngjashme! Në planin global nuk kemi humbur asgjë. Askush nuk po na përmend. Krizën globale financiare po e përballojmë lehtësisht. Gjithkund po mungon paraja. Te ne nuk po hetohet sepse kurrë nuk e kemi pasur !
Rrëfimi për dy miq të mij të mëdhenj :
1. Të gjithë që më lexojnë e dinë për miqësinë time antologjike dhe shekspiriane që e kam me ambasadorin Kristofer Dell. Me pikëllim të thellë mora lajmin që po e lë misionin diplomatik në Kosovë duke e zëvendësuar atë me një post civil në Gjermani ku do të jetë zëvendëskomandant i forcave amerikane për Afrikë! Disi sikur Agim Çeku në FSK i cili është ministër i një organizate civile. Në planin profesional, afirmativ dhe atë të karrierës këtë lëvizje të mikut tim të madh, z. Kristofer Dell e konsideroj si prapakthim e të mos them ndoshta edhe degradim! Pse ? Në Gjermani do të jetë zëvendëskomandant i forcave të armatosura amerikane për Afrikë ndërkohë që në Kosovë ka qenë komandant suprem i Qeverisë, Kuvendit dhe Presidencës! Ne nuk kemi forca të armatosura në Kosovë e lëre më në Afrikë! Pastaj, Afrika nuk ka perspektivë evropiane ndërkaq që Kosova me një të tashme afrikane megjithatë ka perspektivë evropiane! Sinqerisht do të ndjehet mungesa e tij në Kosovë sepse jemi mësuar me mikun tim Dell. Madje , kemi krijuar një vartësi ndaj tij . Kjo vartësi në asnjë mënyrë nuk mund të quhet servilitet! Do të thoja se shprehja më e përshtatshme do të ishte mungesë e përkohshme e dinjitetit!
2. Gjet Macolli është miku im ndoshta edhe më i madh se vet z. Dell. Te ai më pëlqen inteligjenca e tij e jashtëzakonshme, sinqeriteti, konstruktiviteti, pozitiviteti, shkathtësia për ndërmjetësim, autoriteti dhe përkrahja e madhe që e gëzon te populli i Kazakistanit! Është erudit, bëmirës mobil dhe lobist fantastik. Në planin ekonomik është i hatashëm, ta jep një kashtë e ti merr gjashtë! Së paku! I flet disa gjuhë të huaja rrjedhshëm. Kupton edhe në gjuhën shqipe! Vishet shumë bukur. Për kah shija ia kalon edhe Zezditës. Nuk kam ide se ku e gjen gjithë atë energji! E ka bërë Afrikën si paralagje të Marecit ndërsa Amerikën e Jugut dhe shtetet e Karikomit thuaja si Afrikën. E ka rrethin shumë të zgjuar. Një zëvendës i tij ka thënë se pavarësinë e Kosovës do ta pranojë shpejt edhe San Toplesi. Njohjen e pavarësisë e ka lidhur me shtatëzëninë! Kryesore është me filluar ngjizja ndërsa lindja mund të vije pas 6,7,8 apo 9 muaj. Mund edhe të abortojë. Sikur që ishte rasti me Nigerinë! Është dallëndyshe e ndryshimeve demokratike. Paralajmërues i rënies së diktatorëve dhe kriminelëve sepse i njeh shumë mire. Të cilët e pësonin, ose nga Zoti ose nga robi! Titua e pati. Millosheviqi po ashtu. Jelcini iku. Moamer el Gadafi ishte i radhës. Duket se Gjet Macolli gjatë vizitës së tij i la vendimin e shkruar për fatin e tij. Mubarakun e qiti në kokërr të shpinës. Mikut të tij Hugo Çavezit i la llukun e Jul Brinerit. Menjëherë pasi ti dalin flokët Hugo Çavez do të niset në safari për ferr. Me biletë të prerë nga Gjeti. Sulltanëve të Kazakistanit nuk po u ndihmojnë as letrat e fatit. Tregimi nuk ka fund. Tash është afër kryeministrit të Kosovës. Në rastin konkret nga mungesa e guximit nuk po parashikoj asgjë. E pse të merrem vetëm unë me parashikime?! Gjet Macolli është si Robin Hudi, u merr të varfërve dhe u jep të pasurve pasi ta ketë ndalur kryegjënë për veten e tij! Ka blerë çdo gjë që blihet me para. Edhe tituj Qytetar Nderi, Kalorës mbi kal dhe pela, Kalorës i Apokalipsit, Çelësa të Qyteteve dhe Kallauzë të Parajsës, gazetarë, analistë, aktivistë për çështje kombëtare dhe virtuoz të delikuencës morale, politikanë të vendit dhe deputetë të Kuvendit, mullah të Afganistanit dhe udhëheqës të fiseve të Pakistanit! Ka prirje për ndërtim dhe shije për ushqim. Madje, nga menyja e tij personale i qerasi protestuesit para ndërtesës së Qeverisë me një delikatesë dietale. U tha ta hanë një specialitet të prodhimit vendor, ndërkombëtar dhe planetar i cili fillon me shkronjën m, në mes ka një zanore dhe në fund një bashkëtingëllore. Me këtë e ka dëshmuar se ka një shkathtësi orale dhe cilësi jashtëzakonisht të larta morale! Është modernist nga pamja, tradicionalist në brendi dhe i pakrahasueshëm në burrëri!
Definitivisht kam kapituluar në realizimin e idesë për bashkimin kombëtar dhe Shqipërinë Etnike. Tash po angazhohen për Kosovën e pavarur, sovrane, demokratike dhe mbi të gjitha multietnike! Nuk është ky vetëm premtim por është qëllim. Me idealizma nuk ndërtohet kalaja , me dallavere multietnike fitohet paraja! Si ish shqiptar, i konvertuar në kosovar, me shembullin personal dua ta bëjë një diversion moral. Si kontribut për relaksimin ndëretnik, po e bëjë një pajtim historik. Jo me Putinin, jo me Radën apo Tadiqin e as me Lavrovin por me Gjet Macollin!
Kam premtuar se do të shkruaj për partitë politike në Kosovë dhe më besoni se jam duke punuar në atë drejtim. Pa pushim! Por, nuk e di çka do të dali nga kjo, përshesh apo EULESH !
































Më të komentuarat