Shqiptarėt, sėrish (nuk) lidhin besė nė Prizren?
Prishtinë, (Fadil Lushi) 28 Maj 2012 08:26I nderuar lexues, kėtė shkrim tė radhės po e filloj duke iu referuar njė thėnieje proverbiale tė tė urtit Llukman: Dy gjėra duhet ti harrosh: mirėsinė qė dikujt ia ke bėrė dhe padrejtėsinė tė cilėn dikush ta ka bėrė ty! Kjo e para disi harrohet, por e dyta nuk tė ikėn dot kollaj nga mbamendja, qoftė ajo individuale, qoftė kolektive.
Para katër dekadash një bashkëvendës yni, kishte bërë një dasmë të madhe. Në të kishte ftuar të gjithë shokët e klasës e të gjeneratës. Mua dhe dy të tjerë nuk na ftoi, unë, pse isha ish i burgosur politik dhe irredentist, Sazani pse ishte katundar, ndërkaq N.N. pse ishte jetim nga babai dhe nga nëna. Në vazhdim të këtij shkrimi, nuk do pretendoj ti bëj post homazh a postskriptum një ceremonie që u organizua ditë më parë në Prizren, dedikuar abetares së ashtuquajtur mbarëshqiptare. Nuk do ti bëj vlerësim, qoftë ai të jetë i lartë, i drejtë, i njëanshëm a edhe rrënues. Do të bëj përpjekje të hetoj vetëm një shqetësim të intelektualëve, mësuesve dhe nxënësve të tyre këtej gardhit.
Në atë ceremoni festive, që më vonë u shndërrua në një gazmend të pakontrolluar, respektivisht në një tubim folk-patriotik, u prezantua a u përurua Abetarja historike e ashtuquajtur mbarëshqiptare!? (lexo Shqipëri-Kosovë). Në atë tubim ishin të ftuar: Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ministra, diplomatë të huaj si dhe Kryeministri i Shqipërisë, z. Sali Berisha, i cili në fjalimin e tij, pos të tjerash, do të thotë: ..., abetarja shënon arritjen historike të përpjekjes së shqiptarëve për mbrojtjen, zhvillimin, kultivimin e kulturës së tyre, për vendosjen e saj në themelet e së ardhmes së tyre... Abetarja është margaritari i kurorës së 100-vjetorit të Shqipërisë së pavarur, dhurata më e bukur që njerëzit e dijes mund t'i bënin Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe..., ne jemi më të vendosur se kurrë të punojmë për projektin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, në projektin e madh europian.
Në fund të fjalimit të tij z. Sali Berisha, duke e sulmuar ashpër Beogradin, e tha edhe këtë: Ne nuk jemi kombi i zgjedhur i Zotit, por jemi në të drejtën tonë, ne jemi në trojet tona. Sot jemi më të vendosur se kurrë që të punojmë për projektin e BASHKIMIT të shqiptarëve në kuadër të projektit të Unionit Evro-
pian. Të punojmë për paqen e stabilitetin në rajon e më gjerë. U themi fqinjëve, çlirohuni nga shqiptarofobia, ajo është pleh i primitivizmit të së kaluarës suaj! Shqiptarët janë një komb që dinë të ruajnë dhe të mbajnë miqësira, por gaboheni rëndë në qoftë se vazhdoni të shfaqni shqiptarofobinë tuaj me skena si ato të Preshëves (Maqedonisë-nënvizim i ynë), të cilat faktojnë se jeni akoma shumë në stadet primitive! Ju falënderoj që zgjodhët Prizrenin, kryeqytetin shpirtëror, kryeqytetin e idealit kombëtar të bashkimit të shqiptarëve, për promovimin e abetares!
Po, i nderuari zoti kryeministër, me gjithë respektin dhe dashamirësinë Tuaj, më duhet të ju them se ne shqiptarët këtej gardhit, ditë për ditë ballafaqohemi me shqiptarofobinë, por nuk e kemi ditur se duhet të ballafaqohemi me harresën, me mospërfilljen dhe inferioritetin tonë të pafund, gjithsesi jo Tuajin. A nuk ju shkoi ndërmend ta pyesni organizatorin e kësaj ceremonie se ku janë shqiptarët e tjerë. Qofsha i gabuar..., ndonëse nuk dua të jetoj në kohë dhe në hapësirë të gabuar.
Se fjalimi i z. Sali Berisha rreth abetares mbarëshqiptare ishte politik, nacionalist, emocional dhe racional, është më shumë se e vërtetë dhe asnjeri nuk e ka teserën që ta kontestojë këtë. Asnjeri nuk ka të drejtë të kërkojë që të (ri) redaktohet ky prononcim i tij, por ama parashtrohet pyetja: kujt ia dedikoi këtë fjalim kryeministri. A mos vallë këto fjalë duhej ti kushtoheshin vetëm shqiptarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë(!??) apo edhe për shqipfolësit e tjerë që nuk kanë shtetet e tyre. Nëse është kështu, atëherë ai fjalim i tij, në instancë të fundit, do të konceptohet si i pashëndetshëm së paku për shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi, si dhe për legjendat provinciale të Luginës së Preshevës, të cilët nuk u dukën në këtë tubim, ose, po deshe ti, i nderuar lexues, thuaj në këtë zijafet shehërlinjsh!
A mos vallë organizatori, me a pa qëllim, kishte harruar ti ftojë këta shqiptarë në këtë eveniment, sa historik po aq edhe kombëtar? A mos vallë shqiptarët që jetojnë jashtë shtetit shqiptar, që në fillim i kishte konceptuar si jetimët e Jetimores së Tiranës, të cilët ditë më parë kishin dalë rrugëve në kërkim të dollarëve që ua kishin abuzuar burokratët e bllokut të kryeqytetit të shqiptarëve!? A mos vallë organizatorit nuk i shkoi ndërmend të ftojë zyrtarë të Ministrisë së Arsimit të Shkupit, së paku shqiptarët që punojnë në të, në jo një ftesë për zyrtarët në fjalë, ka mundur të ftojë së paku një mësues tok me nxënësit e tij, qoftë të ishte nga Shkupi, nga Tetova, nga Gostivari, nga Poroji, nga Tanusha ose edhe nga ndonjë fshat shqiptar këtej afër nesh. Ndoshta (nuk) është njerëzore ndonjëherë edhe të harrosh fqinjin ta ftosh në dasmë!? Çi duhej organizatorit të zgjedhë qytetin e Prizrenit për promovimin e abetares..., çiu desh kjo përzgjedhje gjeografike e tij dhe të tjerëve të tillë si ai!? A mos vallë me këtë nuk u denigrua dhe u shtrembërua historia e lavdishme e Lidhjes së Prizrenit? A mos vallë me këtë deshën të ndërtojnë një paralelizëm historik, paralelizëm të kotë, të figurshëm dhe të sajuar. Po, mbase edhe e bënë këtë.., ata duhej ta kishin parasysh se 100 vjet më parë, gjegjësisht më 10 qershor të vitit 1878, Abdyl Frashëri (kryetar i Komitetit të Stambollit dhe delegat i Toskërisë a vilajetit të Janinës) në ditën e parë të punimeve të Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit, duke e sfiduar fuqinë e Perandorisë Otomane, ndër të tjera, do të thotë: Qëllimi i Kuvendit është që tua presim hovin armiqve të pashpirt, duke LIDHUR BESËN SHQIPTARE dhe duke u betuar që ti mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë! Historianët, këtij paragrafi sot do tia bashkëngjisin edhe faktin se në Këshillin e Përgjithshëm të Lidhjes së Prizrenit u zgjodhën 56 anëtarë (shqiptarë) nga krahinat shqiptare të katër vilajeteve: të Kosovës, Shkodrës, Janinës dhe nga vilajeti i Manastirit, aty në qytetin e Manastirit, ku në vitin 1908, u thirr tubimi i dijetarëve shqiptarë për përcaktimin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, aty ku edhe u ndërtua KËSHTJELLA E PAMPOSHTUR e Abetares! Për fat të keq, Prizreni i 1878, nuk u përsërit!
Thashethemexhinjtë do të thonë se në Prizren, në muajin e pestë të vitit 2012, nuk u lidh BESA SHQIPTARE!? Fatkeqësisht kjo nuk ndodhi sepse në atë tubim munguan legjendat urbane të Shkupit, Podgoricës dhe të Luginës së Preshevës, një tubim a ceremoni që u shndërrua në politikë provinciale dhe ditore, në një zijafet ku mungoi bashkimi i kokave shqiptare..., aty ku u LËNDUAN plagët e vjetra të Abdylit, aty ku sërish u lënduan krahët e Besës së lidhur shqiptare të vitit 1878!? Nëse shqiptarët, që jetojnë dhe veprojnë jashtë trojeve të Shqipërisë dhe Kosovës, me hir a me pahir u përjashtuan nga ky eveniment, atëherë, abetarja e gjuhës shqipe, nuk mund të jetë pjesë a pjellë e manifestimit të 100-vjetorit të mëvetësimit të Shqipërisë londineze!
Dikur një moderator i një televizioni prestigjioz të Tiranës, në një emision debati, kishte ftuar një politikan të njohur shqiptar. Pos të tjerash ia kishte parashtruar pyetjen me sa vijon: Pse ju zotërote, derisa ishit ulur këmbëkryq në kryeminderin e pushtetit ekzekutiv, dy herë radhazi kishit gënjyer trupin votues gjegjësisht kishit abuzuar votën deliberative të tyre! Ai, duke e patur përgjigjen në majë të gjuhës, tha: Është e vërtetë se i gënjeva, por ju premtoj se në mandatin tjetër këto gënjeshtra nuk do ti përsëris..., përkundrazi do të sajoj gënjeshtra të reja! Meqenëse, unë jam paksa kokëtrashë dhe rrjedhimisht nuk i kap lehtë fjalët kur thuhen me temsil, do të them se në përgjigjen e politikanit të intervistuar, megjithatë kishte pasur sadopak moral dhe korrektësi politike.
Në fund do të themi se ne që nuk u dukëm atypari Shatërvanit të Prizrenit, sjemi as jetimë, as qaramanë e as mëkatarë e lypsarë, pavarësisht se nuk na sajdis vëllau i madh..., edhe ne kemi abetaren tonë, pa marrë parasysh, se cili është niveli i cilësisë së saj. Këtejpari në Tetovë, një tyxhar, në (çdo) prag të festës së 28 Nëntorit, në derë të dyqanit të tij, do ta shpalosë flamurin kombëtar. Nëse ju, të nderuar lexues që lexoni këto shkarravina, nuk e dini pse ai e bën këtë, po jua themi: e bën për të shtuar allishverishin (pazarllëqet e politikës ditore dhe hileqare)!??































Më të komentuarat